Janë pranuar të gjitha kërkesat e sektorit të biznesit për energjinë elektrike, ndërsa do të hyjnë në fuqi nga 1 gushti, me vendosjen e situatës së krizës e cila tani më është paralajmëruar, kumtoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pas takimit të punës me përfaqësuesit e Asociacionit energjetik të Maqedonisë (AEM), në të cilin mori pjesë edhe kryetari Komisionit rregullator për energjetikë (KRRE) Marko Bislimovski.
“Energjia e gjelbër” sërish të nominohet vetëm për industrinë, gjatë dimrit të mos mbyllen kufijtë për importin e energjisë elektrike dhe këtë Qeveria ta komunikojë me Serbinë dhe Bullgarinë, të rritet prodhimi i energjisë elektrike – EC “Negotinë” dhe “Te-To” të punojë në dimër, ndërsa mazuti të dalë në treg të lirë, si dhe t’u mundësohet kapaciteteve të industrisë së lehtë, jo ndotëse që të vendosin fotovoltaikë më lehtë dhe ligjërisht, sepse industria. ka vetëm atë mundësi për t’u mbrojtur nga goditja e çmimit të energjisë elektrike. Këto janë kërkesat kryesore të AEM-së”, të cilat i shpjegoi në detaje nënkryetari i Odës ekonomike dhe kryetar i AEM-së, Koço Angjushev.
Angjushev kërkoi nga institucionet të mundësojnë 40 megavat të instaluara në fotovoltaikë dhe termocentrale të vogla të mundësojnë lidhjen sa më të shpejtë në sistemin e energjisë elektrike, sepse çdo megavat, siç nënvizoi , është “ari i pastër” dhe shumë i rëndësishëm për shtetin.
“Të blihet mazut më shpejt që EC “Negotinë” të punojë në dimër. Por të bëhen edhe bisedime me “Te-To”, që prej tani, që edhe ky kapacitet të punojë gjatë dimrit, potencon Angjushev.
Ministri Bekteshi informoi se Qeveria në javën paraprake i ka marrë propozimet nga Oda dhe ato tani më janë shqyrtuar nga institucionet, ndërsa është biseduar edhe me KRRE-në.
“Shumica e masave, të mos them 100 për qind, janë të pranueshme dhe do të fillojnë të zbatohen menjëherë, nga fillimi i gushtit, me shpalljen e krizës energjetike, sepse vetëm atëherë Qeveria do të mund të sjell vendime dhe ta ndihmojë ekonominë. Pritjet tona janë se REK “Bitola” nga tetori do të punojë me tre blloqe, “Oslomej” do të punojë me gjysmë kapaciteti, ndërsa ka filluar edhe dërgimi i mazutit nga Greqia për EC “Negotinë”, i cili fillimisht do të fillojë të punojë me kazanin e parë, ndërsa do të bëhen edhe të gjitha përgatitjet që të vihet në funksion edhe kazani i dytë”, theksoi Bekteshi.
Pasi apeloi tek qytetarët për të kursyer rrymë, Bekteshi i bëri thirrje opozitës – që të jetë konstruktive dhe të mundësojë realizimin e masave për mbështetjen e ekonomisë.
“Që të miratohet dekreti, duhet fillimisht të shpallet krizë energjetike. Pa këtë, dispozita dhe masa nuk mund të miratojë Qeveria. Nëse kalojnë 30 ditë nga kjo shpallje, atëherë këtë duhet ta bëjë Kuvendi ku si politikanë të përgjegjshëm të cilët e kemi marrë besimin e qytetarëve, duhet t’ua lehtësojmë institucioneve dhe industrisë dhe të zbusim efektin negativ. Edhe opozita të përfshihet, e kam ftuar Mickoskin, nëse duhet edhe tek ta do të shkojmë dhe në Kuvend mund të diskutojmë për punë të tilla. Këto vendime nuk sillen për asgjë tjetër, vetëm që t’i ndihmohet industrisë”, tha Bekteshi.
Kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë (KRRE) Marko Bislimovski konfirmoi se të gjitha kërkesat e AEM-së për KRRE-në janë të pranueshme.
“Një pjesë e kërkesave tani më janë implementuar, ndërsa një pjesë do të zbatohen në periudhën në vijim”, deklaroi Bislimovski.