Dje, më 27 korrik, Banka Qendrore Amerikane (FED) vendosi të rrisë sërish normën e interesit për të zbutur inflacionin. Norma referencë e interesit tani është midis 2.25 dhe 2.50 për qind, shkruan Reuters.
Guvernatori i bankës, Jerome Powell, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të dorëzohen në luftën kundër inflacionit, edhe nëse kjo rezulton në një periudhë të përhershme dobësie ekonomike dhe ngadalësim të tregut të punës. SHBA-ja po përjeton normën më të lartë të inflacionit që nga vitet ’80.
Powell nuk mendon se ekonomia amerikane është në recesion dhe vuri në dukje se shkalla e papunësisë në SHBA është më e ulëta në gjysmën e shekullit të fundit dhe se ka rritje solide të pagave.
Inflacioni në SHBA nuk është ende më i lartë se 10 për qind, por norma aktuale e inflacionit prej 9.1 për qind ka nxitur autoritetet të reagojnë duke rritur normat e interesit.
Kjo po ndodh në një kohë të ndjeshme për demokratët në pushtet – tre muaj para zgjedhjeve të Kongresit. Sipas të dhënave të fundit, të publikuara më 22 korrik, SHBA-ja ka pasur një rritje të ngadaltë ekonomike në tremujorin e dytë.
© KOHA.