Turqia dhe Greqia kanë demonstruar edhe një herë forcën ndaj njëra-tjetrës ne detin Egje. Videoja e publikuar nga Roja Bregdetare greke shfaq një anije turke e cila është përfshirë në manovra të rrezikshme në distancë të afërt me një varke shpëtimi greke, brenda ujërave territoriale greke në zonën detare në perëndim të Farmakonisit.
Në fakt, kapiteni i gomones turke nuk iu përgjigj asnjë prej thirrjeve të njëpasnjëshme që mori nëpërmjet radios nga kapiteni grek se ndodhej në ujërat territoriale greke dhe të mos kryente manovra aty.
Sipas një njoftimi të Rojës Bregdetare, nuk ka lëndime të anëtarëve të ekuipazhit apo dëme materiale. Incidenti ndodh në një kohë kur Turqia po përgatitet të nxjerre më 9 Gusht nga porti i Mersinit drejt ujërave te Mesdheut Lindor platformën lundruese të kërkimit për nafte e gaz “Abdulhamit Khan”.
Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu po përpiqet të “ringjallë” shpresat e Ankarasë për furnizimin me avionë luftarake F-16 , proces i “bllokuar” nga kongresi amerikan. Nga Qiproja senatori Robert Menendez i dërgoi një mesazh të qartë dhe të rreptë presidentit Rexhep Tajip Erdogan .
“Status quo-ja në Qipro është e papranueshme. Aktiviteti turk në Varosha është i papranueshëm. Presidenti i Turqisë duhet të ndalojë menjëherë veprimet provokuese. Bazuar në listën e gjatë të keqbërjeve turke, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë pozicionin e tyre dhe t’i japin presidentit Erdogan avionet luftarake F-16.”
Diskutimet e Turqisë me SHBA-në për F-16 u përmendën nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, duke thënë se ato po shkojnë mirë dhe se atmosfera negative që ka ekzistuar vitet e fundit në Kongresin Amerikane është zhdukur.
Sipas Cavusoglu amerikanët janë të vetëdijshëm për rolin që Turqia ka marrë kohët e fundit duke iu referuar ndoshta rolit të Ankarasë në ndërmjetësimin e marrëveshjes për dërgesat e grurit nga Ukraina.
Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu ka akuzuar Greqinë se strehon terroristë kurdë dhe se i lejon ata që të organizojnë komplote në territorin e saj./Klan News/