BotaLajme

Ashpërsohen masat në BE, azilkërkuesit drejt dëbimit!

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, CSU do të duhet të martën (22.07.) të shpjegojë kontrollet kufitare të Gjermanisë në takimin për herë të parë si ministër me homologët e tij nga vendet e BE-së. Por para së gjithash Dobrindt dëshiron të demonstrojë në Kopenhagen “se Gjermania nuk është më në rolin e frenuesit kur bëhet fjalë për çështjet e migracionit në Evropë, por në rolin e drejtuesit”. Ministri i Brendshëm gjerman e kishte deklaruar këtë tashmë në fund të javës së kaluar në samitin e migracionit të thirrur nga vetë ai në Zugspitze, në Gjermani. aty mori pjesë edhe komisionieri i BE për çështjet e Brendshme, Magnus Brunner. “Evropa më në fund po bëhet më e ashpër në politikën e azilit. Kjo është ajo që është vendimtare: Ne mund t’i zgjidhim këto sfida vetëm së bashku – jo secili për veten e tij, jo secili individualisht”, tha Brunner në samit.

Gjermania nis dëbimet në Afganistan, Austria në Siri
Sot në Kopenhagen diskutohet për këtë ashpërsim të ri. Sidomos për “temën e dëbimeve dhe kthimeve, ku së fundmi kemi krijuar mundësi të reja”, tha Brunner, që vetë vjen nga Austria. Së fundmiAustria ka shtuar dëbimet në Siri, kurse Gjermania në Afganistan.

“Këto janë të gjitha hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne nëse mund t’i kthejmë gjithnjë e më shumë kriminelët në vendet e tyre të origjinës”, theksoi ai.

Për këtë qëllim në mars Komisioni i BE-së paraqiti një rregullore të re për kthimin. Ajo përfshin, ndër të tjera, procedura më të rrepta dëbimi dhe të njësuara në të gjithë BE-në, si edhe të ashtuquajtura “qendra kthimi”, ku do të koordinohet dëbimi i azilkërkuesve të refuzuar – duke përfshirë edhe qendra jashtë BE-së nën mbikëqyrjen e autoriteteve kombëtare, së bashku me agjencitë e BE-së si Frontex. Për këtë qëllim, Frontex, Agjencia e Mbrojtjes së Kufijve brenda BE do të marrë trefish më shumë fonde në të ardhmen, sipas Komisionerit të Punëve të Brendshme Brunner. Sipas propozimit të buxhetit të paraqitur nga Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen javën e kaluar, 34 miliardë euro do të ndahen për menaxhimin e migracionit, forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe sigurinë e brendshme.

Vetëm çdo i katërti azilkërkues i refuzuar largohet nga BE
Por edhe më tej shtrohet pyetja: Ku do të dëbohen këta njerëz? Sipas Agjencisë së Azilit të BE-së, kohët e fundit ka pasur rreth 2,700 kërkesa për azil në ditë. Pothuajse gjysma refuzohen menjëherë, por aktualisht vetëm rreth një në katër prej atyre që duhet të largohen, largohen në të vërtetë nga Bashkimi Evropian.

Danimarka, e cila aktualisht mban Presidencën e Këshillit të BE-së prej kohësh është konsideruar si një mbështetëse e vijës së ashpër në politikën e migracionit. Kaare Dybvad, Ministrja Daneze e Migracionit, dëshiron t’i përshpejtojë gjërat: “Ne duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht t’i bindim vendet e treta të marrin mbrapsht shtetasit e tyre. Ne duhet të punojmë urgjentisht për zgjidhje të mëtejshme dhe të reja.”

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk