
Kremlini ka minimizuar zërat për një samit të afërt midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas thirrjes së presidentit amerikan, Donald Trump që të dy udhëheqësit të takohen për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Nxitja për një takim dypalësh vjen pasi presidenti amerikan u takua me Putinin në Alaska javën e kaluar dhe mirëpriti shtatë udhëheqës evropianë dhe Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Trumpi pranoi se konflikti ishte “i vështirë” për t’u zgjidhur dhe pranoi se ishte e mundur që presidenti rus të mos ishte i interesuar të përfundonte armiqësitë.
“Do të mësojmë për presidentin Putin në dy javët e ardhshme”, ka thënë ai të martën. “Është e mundur që ai të mos dëshirojë të bëjë një marrëveshje”.
Putini përballet me një “situatë të vështirë” nëse do të jetë kështu, ka shtuar Trumpi, pa ofruar asnjë detaj.
Trumpi ka sugjeruar se “do të ishte më mirë” nëse Putini dhe Zelensky do të takoheshin pa të, në një intervistë me prezantuesin konservator të emisionit radiofonik Mark Levin vonë të martën në mbrëmje.
Ai ka shtuar se do të merrte pjesë në një takim me të dy udhëheqësit “nëse është e nevojshme”, por donte të “shihte se çfarë ndodh”.
Presidenti rus i ka thënë Trumpit të hënën se ishte “i hapur” për idenë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Ukrainën, por të nesërmen ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov sikur e ka minimizuar mundësinë.
“Çdo takim do të duhej të përgatitej gradualisht… duke filluar me nivelin e ekspertëve dhe më pas duke kaluar nëpër të gjitha hapat e kërkuar”, ka thënë ai, duke përsëritur një frazë të shpeshtë të Kremlinit.
Dmitry Polyanskiy, një zëvendëspërfaqësues rus në OKB, i ka thënë BBC-së se “askush nuk e kishte refuzuar” mundësinë për bisedime të drejtpërdrejta, “por nuk duhet të jetë një takim për hir të një takimi”.
Ndërkohë, shefat ushtarakë të NATO-s pritet të zhvillojnë një takim virtual të mërkurën, ndërsa shefi ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Tony Radakin, po udhëton për në Uashington për diskutime mbi vendosjen e një force sigurie në Ukrainë.
Të martën është raportuar se Putini i kishte sugjeruar Trumpit që Zelensky mund të udhëtonte për në Moskë për bisedime, diçka që Ukraina nuk ka gjasa ta pranojë.
Propozimi mund të ketë qenë mënyra e Rusisë për të paraqitur një opsion aq të paarritshëm sa Kievi nuk do të kishte mundur ta pranonte.



