
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar planin e ushtrisë për pushtimin e Gazës, raportojnë mediat izraelite. Sipas Times of Israel, për këtë operacion pritet të thirren rreth 60 mijë rezervistë.
Vendimi erdhi vetëm një ditë pasi Hamasi u kishte dorëzuar ndërmjetësuesve ndërkombëtarë një “përgjigje pozitive” për një propozim të ri armëpushimi në Rripin e Gazës.
Reagimi zyrtar i Izraelit pritet të bëhet publik deri në fund të javës, ndërsa Kabineti i Sigurisë do të mblidhet të enjten për të diskutuar zhvillimet.
Kryeministri Benjamin Netanjahu ka deklaruar më herët se objektivi mbetet lirimi i pengjeve të mbetura dhe sigurimi që Hamasi e grupet e tjera militante të mos mund të kërcënojnë më kurrë Izraelin.
Ofensiva e planifikuar në qytetin e Gazës dhe kampet qendrore ka nxitur dënime të forta ndërkombëtare dhe frikën për një tjetër shpërngulje masive të palestinezëve.



