Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, arriti në Singapor të hënën herët, duke nisur vizitën e saj në Azi, ndërsa janë ngritur shumë pikëpyetje mbi një ndalesë të mundshme në Tajvan, që ka nxitur tensionet me Pekinin.
Një person i njohur me këtë çështje konfirmoi se zonja Pelosi dhe delegacioni i saj zbarkuan në qytetin-shtet para agimit. Ai foli me kushtin që të mos identifikohet sepse nuk është i autorizuar të jap hollësi për mediat, të cilat nuk kanë qasje në vizitën e zonjës Pelosi.
Në një deklaratë gjatë fundjavës, zonja Pelosi tha se do të vizitojë gjithashtu Malajzinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë për të diskutuar mbi tregtinë, pandeminë COVID-19, ndryshimet klimatike, sigurinë dhe “qeverisjen demokratike”.
Ajo nuk konfirmoi lajmet se mund të vizitojë Tajvanin, të cilin Pekini e sheh si territor të tij. Presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi kundër ndërhyrjes në punët e Pekinit me ishullin në një telefonatë javën e kaluar me presidentin amerikan, Joe Biden.
Pekini e sheh kontaktin zyrtar amerikan me Tajvanin si inkurajim për ta bërë të përhershme pavarësinë e tij ‘de facto’ prej dekadash, një hap që udhëheqësit amerikanë thonë se nuk e mbështesin. Zonja Pelosi, shefja e njërës prej tre degëve të qeverisë amerikane, do të ishte zyrtarja më e lartë e zgjedhur amerikane që do të vizitonte Tajvanin që nga vizitë e ish kryetrarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich në vitin 1997.
Administrata e presidentit Biden është përpjekur të sigurojë Pekinin se nuk ka asnjë arsye për “përplasje” dhe nëse do të ndodhte një vizitë e tillë, ajo nuk do të sinjalizonte asnjë ndryshim në politikën e SHBA-së.
Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pasi komunistët fituan një luftë civile në pjesën kontinentale. Të dyja palët thonë se janë një vend, por nuk pajtohen se cila qeveri ka të drejtën e udhëheqjes kombëtare. Ata nuk kanë marrëdhënie zyrtare, por janë të lidhura me tregti dhe investime miliarda dollarëshe.