BotaLajme

Ne dhe Evropa; në mes të iluzionit dhe realitetit

Shkruan: Lirim Begzati
Kërkesat që burojnë nga ripërtrirja dhe ashpërsimi i kushteve për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në Bashkësinë evropiane (BE) besohet se janë një indikatorë i mjaftueshëm i cili dëshmon se intenziteti i entuziazmit dhe i shpresave për hyrje në familjen evropiane nuk do të kishte nevojë që të jetë tepër se sa duhet i idealizuar.

Kjo analizë mund të interpretohet përmes një sërë faktorësh objektivisht të kuptueshëm, të cilët duket se kanë ndikim të drejtpërdrejt në dhënien e njëfarë prognoze lidhur me perspektivat e anëtarësimit.

Krahas faktit se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu hap rruga e një shprese konkrete, u kuptua edhe ajo se kjo simbolizon jo vetëm një vendim madhor, por edhe një nxitës i padiskutueshëm i reformave dhe proceseve të mëtutjeshme që çojnë në drejtim të integrimit.

Premtimet e njëpasnjëshme të dhëna përmes diskurseve politike të përgjegjësve-akterëve evropian të zgjerimit, tani nuk kufizohen vetëm në mesazhe të politikave të ditës, pasi që ato shkojn më larg, duke e bartur edhe porosinë për nevojën e avansimit të reformave të shumta që i presin shtetet që synojnë anëtarësimin definitiv, nga një anë dhe nga ana tjetër, duke vënë një theks të veçantë në domosdoshmërinë e ngritjes së shkallës së bashkëpunimit dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor.

Kurse, në një pjesë të diskursit evropian ku duket se akoma mbahet ngjyra e thënieve të kopjuara nga e kaluara, bie në sy fakti se ai “pasurohet” ndërkohë me shprehje të reja kërkesash dhe kushtesh shtesë për anëtarësim.

Mbetet që gjendja aktuale të kuptohet realisht dhe të shoqërohet me motivimin dhe ambiciet për avansime progresive, duke e shmangur shpalosjen e shpresave të ç’veshura nga pragmatizmi, sidomos duke u bazuar në rezultatet e zbehura të disa proceseve zhvëllimore të hapësirave ballkanike.

Në fakt, sot për sot, porosia që vjenë nga Evropa dhe që i drejtohet Ballkanit Perëndimor mund të rezymohet kësisoj: “mbetet edhe shumë punë me u bërë, rregulloni së pari disa punë në shtetet tuaja, merreni mirë veshë me njëri-tjetrin, e kurse pastaj do të shohim për ate se si do të jetësohet pranimi juaj definitiv në Evropë… !”.

Një listë e gjërë faktorësh i shoqërojnë refektimet lidhur me këtë temë, në mesin e të cilave mund të veçohen disa nga këto si vijojnë.

Pranimi padiskutim i ngutshëm i Bullgarisë dhe i Rumanisë (por edhe i disa shteteve të tjera) në gjirin e BE, i ka dhënë saj një shtytje të re, duke e çuar deri në imponimin e një qasje tejet rigoroze dhe në një rishqyrtim të kushteve të anëtarësimit që duhet aplikuar për kandidatët e tanishëm, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe kandidatët e rradhës.

Përveç kësaj, shkohet shumë më largë, bile deri në atë masë saqë, në mesin e kushteve për anëtarësim që sot Evropa i kërkon nga këto shtete, hasim edhe kushte që nuk janë të pëfillura apo të plotësuara edhe në disa nga shtetet që veç janë anëtarë të BE. Ndryshe me thënë, kërkohet nga Ballkani Perëndimor shumë më tepër se sa është kërkuar në të kaluarën nga dikush tjetër!

Nga ana tjetër, qëndrimet e disa shteteve të ish-bllokut komunist, duket se i kanë “ftohur” disa shtete tjera historikisht dhe tradicionalisht besnike ndaj vlerave të përbashkëta evropiane. Në fakt, duket se një pjesë e shteteve të anëtarësuara gjatë këtyre dy dekadave të fundit (Hungaria, Polonia, Rumania, etj.) japin së paku përshtypjen se e vërejnë ndonjëherë BE si një adresë parasegjithash “përfitimi” e jo edhe si një vend ku duhet kultivuar bashkërisht parimet mbi të cilat është krijuar dhe ndërtuar BE.

Fundja, edhe shembulli aktual i nevojave të një politike të pakushtëzuar të unitetit dhe të harmonisë karshi çështjes së Ukrainës, por edhe disa nga mosmarëveshjet e shprehura në këtë drejtim, e dëshmojnë faktin se konsolidimi dhe ripërtrija e rradhëve në vetë brendësinë e BE është me siguri një proces sfidash permanente.

Për arsye që i takojnë regjistrit të një forme tjetër të telasheve, edhe zhvillimi i proceseve të shumta në Ballkanin Perëndimor ballafaqohet gjithashtu me procese sfidash “të llojit ballkanik”.

Si në BE ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, kontekstet aktuale nuk lejojnë gati se aspak që të jepet ndonjë vlerësim adekuat mbi transformimet dhe zhvillimet e ardhshme që kanë me ndodhur në hapësirat e rajoneve përkatëse, në reformat dhe etapat e integrimit.

Një dinamikë kjo e proceseve paralele (në BE dhe Ballkanin Perëndimor), që sot për sot, vështirë me e ditur atë se kur do të arrijnë që të bashkohen njëra me tjetrën, që të futen në binare të përbashkëta zhvillimi, për me u bashkuar në të njejtën familje evropiane.

Në kuadër të një reflektimi më global lidhur me perspektivat e integrimit të Ballkanit Perëndimor, do të kërkohet gjithmonë e më tepër që strategjitë dhe premtimet teorike të materializohen përmes veprimeve konkrete dhe praktike.

Reflektimi mbi këtë temë mund të prezantohet edhe përmes një analize krejtësisht tjetër; nëse Ballkani Perëndimor do të avansonte me një dinamikë të shpejtë me reformat e filluara, nëse do t’i përmbushte shumicën nga kushtet esenciale të integrimit (standarde të një ekonomie të zhvilluar, shtet të qëndrueshëm të së drejtës, etj), vallë a do të ishim të sigurt se entuziazmi i integrimit në BE do t’a kishte të njëjtin intenzitet interesimi, ashtu siç e ka sot?

Ndoshta po, në kuptimin e simbolikës për me qenë padurim anëtar i familjes së madhe evropiane. Mirëpo, nga ana tjetër, nuk besohet aspak se do t’a vërenim Evropën si një oportunitet unik për me dalë nga kriza jonë, qoftë nga ajo individuale qoftë kolektive!

Aq logjike kjo, pasi që, në kënvështrimin e analizës së sipërpërmendur, në përputhje me kriterët e imponuara nga BE, largimi nga kriza që i prekë posaçërisht sferat kyqe të jetës sonë socio-ekonomike, do të nënkuptonte paralelisht edhe plotësim i një sërë kushtesh për anëtarësim në BE. Një llogari pra “matematikore”, e cila sa duket e koklavitur aq është edhe logjike!

Një kohë e gjatë pra për me arritur rezultatin e një llogarie të tillë, e cila tani për tani luhatet në mes të iluzionit dhe realitetit!

Show More

Related Articles

Back to top button