Numri i viktimave nga përmbytjet në Kentakin Lindor në SHBA është rritur në 37, pasi shiu i dendur vazhdon të pengojë operacionet e shpëtimit dhe të kërcënojë dëme të mëtejshme, ndërsa ka ende shumë të zhdukur.
Andy Beshear, guvernator i Kentakit, njoftoi në Twitter se numri i viktimave mund të rritet.
“Ne e mbyllim ditën me më shumë lajme tronditëse nga Kentaki lindor. Mund të konfirmojmë se numri i të vdekurve tani është rritur në 37, me shumë të tjerë ende të zhdukur”, shkroi ai në Twitter.
Një seri stuhish të reja priten për natën amerikane. Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar një paralajmërim për përmbytjet në pjesën më të madhe të Kentakit lindor, duke paralajmëruar një seri stuhish të tjera.
“Janë të mundshme reshje të dendura të cilat mund të çojnë në përmbytje të shpejta, së bashku me stuhi të forta”, shkroi agjencia meteorologjike në Twitter.