
Rreth 70% e shqiptarëve që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian janë nën moshën 45 vjeç, duke e bërë emigracionin shqiptar një nga më të rinjtë në Evropë. Këtë e tregojnë të dhënat e Cens Hub të BE-së, bazuar në censet e popullsisë të zhvilluara në shumicën e vendeve anëtare në vitin 2021.
Sipas statistikave, mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë aktive pune (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që përbën rreth 40.7% të totalit. Struktura është pothuajse e njëjtë për meshkuj dhe femra, duke reflektuar një emigracion gjithnjë e më familjar dhe të balancuar gjinorisht.
Në kontrast, popullsia rezidente në Shqipëri po plaket me shpejtësi, pasi grup-moshat mbi 50 vjeç janë në rritje, ndërsa moshat e reja dhe produktive po tkurren. Në diasporë, personat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa fëmijët nën 15 vjeç rreth 19%, çka tregon vendosje më të qëndrueshme të familjeve shqiptare jashtë vendit.
Të dhënat konfirmojnë se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke rritur presionin mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financat publike brenda vendit, ndërsa kontributi ekonomik i shqiptarëve jashtë vijon të jetë i lartë.(INA)



