Anija e parë e grurit që u nis nga Ukraina që nga pushtimi i Rusisë ka mbërritur në ngushticën e Bosforit të Turqisë.
Razoni, i cili mban 26,000 ton misër, do të inspektohet të mërkurën në mëngjes përpara se të vazhdojë udhëtimin e tij për në Liban.
Rusia ka bllokuar portet e Ukrainës që kur i filloi sulmet në shkurt, duke intensifikuar mungesën globale të ushqimit, transmeton rtv21.tv.
Sipas kushteve të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB muajin e kaluar, të dyja palët kanë rënë dakord që dërgesat mund të rifillojnë.
Në fjalimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes të martën, presidenti Volodymyr Zelensky tha se dëshironte të shihte që eksportet e grurit të bëhen përsëri të rregullta.
Anija u largua nga porti ukrainas i Odesa të hënën, duke u nisur për në Tripoli në Liban nëpërmjet ujërave turke.
Autoritetet ukrainase thonë se janë 17 anije të tjera me grurë që presin të largohen nga portet e vendit të Detit të Zi pasi anija Razoni të përfundojë udhëtimin e tij të sigurt.
Marrëveshja midis Rusisë dhe Ukrainës, e ndërmjetësuar në fund të korrikut pas dy muaj negociatash, u vu në dyshim kur Rusia lëshoi dy raketa në portin e Odesës më pak se 24 orë pas shpalljes së marrëveshjes.
Besimi është i ulët nga të dyja palët, por nëse mbahet, marrëveshja do të zgjasë 120 ditë dhe mund të rinovohet nëse të dyja palët bien dakord.
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë gati një të tretën e eksporteve globale të grurit.
Në vitin 2019 Ukraina përbënte gjithashtu 16% të furnizimeve botërore të misrit dhe 42% të vajit të lulediellit, sipas të dhënave të OKB-së./21Media/