BotaLajme

Turqve iu rëndohet jeta ekonomike, inflacioni gati 80 për qind

Inflacioni në Turqi arriti një normë vjetore prej 79.6 për qind në korrik, niveli më i lartë në 24 vjetët e fundit, treguan të mërkurën të dhënat nga Enti i Statistikave Turke, për shkak të dobësisë së vazhdueshme të lirës dhe kostove të larta globale të energjisë dhe lëndëve të para, shkruan Reuters.

Inflacioni në Turqi filloi të rritet vjeshtën e kaluar, kur lira ra ndjeshëm pasi Banka Qendrore uli gradualisht normën bazë të interesit me 500 pikë bazë në 14 për qind në një cikël lehtësimi monetar të kërkuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 2.37 për qind në korrik, njoftoi Byroja Turke e Statistikave. Parashikohej që inflacioni i çmimeve të konsumit në korrik të arrinte në 80.5 për qind me bazë vjetore.

Rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të konsumit e ka shënuar sektori i transportit, prej 119.11 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me 94.65 për qind.

Inflacioni këtë vit u nxit më tej nga ndikimi ekonomik i pushtimit rus të Ukrainës, si dhe nga rënia e vazhdueshme e lirës, ​​e cila u dobësua 44 për qind kundrejt dollarit vitin e kaluar dhe ka rënë me 27 për qind të tjera këtë vit.

Inflacioni vjetor është tani në nivelin më të lartë që nga shtatori 1998, kur arriti në 80.4 për qind, ndërsa Turqia përpiqet t’i japë fund një dekade inflacioni kronik të lartë.

Qeveria turke ka njoftuar se inflacioni do të lehtësohet falë programit të saj ekonomik, i cili ka prioritet normat e ulëta të interesit për të nxitur prodhimin dhe eksportet.

Erdogan ka thënë se priste që inflacioni të bjerë në nivelet “të përshtatshme” deri në shkurt dhe mars të vitit të ardhshëm dhe Banka Qendrore të enjten e kaluar ngriti vlerësimin e saj të inflacionit për fundin e vitit 2022 në 60.4 për qind, nga 42.8 për qind e parashikuar më parë.

Përfaqësuesit e opozitës dhe ekonomistët vunë në dyshim besueshmërinë e të dhënave të Institutit të Statistikave Turke (TUIK). Sondazhet tregojnë se turqit besojnë se inflacioni është shumë më i lartë se sa tregojnë të dhënat zyrtare.

© KOHA. 

Show More

Related Articles

Back to top button