Me deklaratën unilaterale lidhur me gjuhën maqedonase, Bullgaria gjegjësisht e shpiki “një formulë artificiale” me të cilën bëhet përpjekje “për të mos thënë se e njeh gjuhën maqedonase” dhe me këtë u krijua barrierë në marrëdhëniet midis dy vendeve, vlerëson profesori i Universitetit të ri të Sofjes, Mihail Ivanov në intervistë për BNR-në.
Sipas Ivanovit i cili është bashkëthemelues i Klubit të miqësisë bullgaro-maqedonase dhe këshilltar i dikurshëm i çështjeve etnike të ish-presidentit bullgar, Zhelu Zhelev, kërkesa e Bullgarisë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit tonë paraqet “këmbëngulje të pamenduar mirë” të nacionalistëve bullgarë, pasi në këtë mënyrë vihet dallim i qartë etnik kushtetues midis maqedonasve dhe bullgarëve.
“Kjo do të thotë përfshirje (e bullgarëve) në Preambulë së bashku me popullin maqedonas si bashkësi etnike e veçantë. Në Preambulë flitet për shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët si edhe për bashkësitë e tjera etnike. Jorastësisht këtë e kundërshton organizata lidere e bullgarëve nga Shkupi dhe insiston kjo të mos ndodhë”, thotë Ivanov.
Ai potencon se për të është çudi që nacionalistët bullgarë me zë të lartë trumbetojnë se bullgarët dhe maqedonasit janë popull i njëjtë ndërsa në të njëjtën kohë dëshirojnë të vendosin dallim të qartë kushtetues dhe etnik midis maqedonasve dhe bullgarëve.
“Problemi me fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë sikur ka kaluar në plan të dytë. Nga ana tjetër, Bullgaria për momentin nuk ka shumë hapësirë manovruese, pasi gjërat tani janë në Komisionin Evropian, i cili do t’i udhëheqë negociatat me Republikën e Maqedonisë”, shton Ivanov.
Sipas tij, Qeveria e re zyrtare e Bullgarisë nuk mundet dhe nuk do të kërkojë rishikimin e vendimit për zhbllokimin e perspektivës evropiane për Shkupin, pasi për momentin pala bullgare nuk ka shumë mundësi për të ndërmarrë ndonjë hap.