BotaLajme

Zelensky: Jam gati të takohem me Putinin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se është i gatshëm të takohet drejtpërdrejt me presidentin rus, Vladimir Putin, por jo në Moskë apo Kiev. Ai sugjeroi mundësi për takime në vende neutrale në Lindjen e Mesme, Evropë ose Shtetet e Bashkuara.

Duke komentuar situatën në Donbas, Zelensky hodhi poshtë çdo ide për lëshime territoriale ndaj Rusisë, duke argumentuar se kjo do t’i siguronte forcave ruse pozicione strategjike dhe mund të shtrihej ofensiva në qytete të tjera si Kharkivi. Ai paralajmëroi gjithashtu se një veprim i tillë do të rrezikonte unitetin e shoqërisë ukrainase dhe pavarësinë e vendit.

Presidenti ukrainas përshëndeti përpjekjet e SHBA-së për një armëpushim me Iranin, duke e konsideruar atë një mundësi për lehtësimin e krizës globale energjetike, por nënvizoi se mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë. Ai sqaroi se bisedimet trepalëshe me Rusinë janë shtyrë për shkak të fokusit amerikan në Lindjen e Mesme, por do të rifillojnë.

Zelensky vlerësoi gjithashtu kryeministrin italian, Giorgia Meloni, duke e quajtur një mbështetëse të fortë të Ukrainës në Evropë dhe duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të saj me SHBA-në për presion ndaj Moskës.

Ai theksoi nevojën për një prani afatgjatë të partnerëve evropianë dhe amerikanë për garancitë e sigurisë, duke paralajmëruar se Rusia mund të rifillojë ofensivën në vitet e ardhshme. Në lidhje me zgjedhjet, Zelensky tha se mbajtja e tyre nuk është e mundur për shkak të kushteve të luftës dhe sfidave të sigurisë, ndërsa shprehu shpresën për shtimin e sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, pavarësisht eksporteve të vazhdueshme të naftës.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk