
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se duhet të pranojë se presidenti Donald Trump nuk ndan të njëjtat mendime për të punuar me Shtetet e Bashkuara brenda NATO-s, por ka theksuar se nuk ka lidhje ndërmjet përçarjes së tyre dhe tërheqjes së planifikuar të trupave amerikane, raporton Reuters.
Merzi ka hedhur poshtë sugjerimet se kritikat e tij ndaj planifikimit të luftës së SHBA-së në Iran shkaktuan njoftimin e Uashingtonit të premten se SHBA-ja do të zvogëlojë praninë ushtarake në Gjermani, bazën e tyre më të madhe europiane, me 5.000 ushtarë, dhe ka përsëritur përkushtimin e tij ndaj aleancës transatlantike.
Merzi kishte vënë në dyshim nëse Trump kishte plan daljeje për Lindjen e Mesme dhe ka theksuar se SHBA-ja po “turpërohen” në bisedimet me Iranin. Trump më vonë e quajti Merzin lider “joefektiv”.
“Duhet të pranoj se presidenti amerikan ka pikëpamje ndryshe për këto çështje nga ne. Por kjo nuk e ndryshon faktin se unë mbetem i bindur se amerikanët janë partnerë të rëndësishëm për ne”, i ka deklaruar Merz transmetuesit publik ARD në një intervistë që është transmetuar të dielën (03.05.2026).
I pyetur nëse planet e SHBA-së për zvogëlimin e pranisë së trupave në Gjermani lidhej me grindjen midis dy liderëve, Merz tha: “Nuk ka lidhje”.
Presidenti Trump kishte bërë thirrje për prani të reduktuar ushtarake amerikane në Gjermani që gjatë mandatit të tij të parë dhe u ka bërë thirrje vazhdimisht europianëve të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre.
Njoftimi i së premtes shihet gjithashtu si anulim i planit nën administratën e Joe Bidenit për vendosjen e një batalioni amerikan me raketa “Tomahawk” me rreze të gjatë veprimi në Gjermani.
Kjo është goditje për Berlinin, i cili kishte kërkuar këtë veprim si pengesë të fuqishme kundër Rusisë, ndërsa europianët zhvillojnë armë të tilla vetë.
Merz ka deklaruar se Trump nuk ishte zotuar kurrë për këtë plan dhe se ishte e pamundur që SHBA-ja të hiqnin dorë nga sisteme të tilla armësh, duke shtuar: “Nëse nuk gabohem, amerikanët nuk kanë mjaftueshëm për veten e tyre për momentin”.



