BotaLajme

OBSH ngre alarmin për krizë shëndetësore në Ukrainë: Mjekët kujdesen për pacientët mes predhave

Ukraina po përballet me një emergjencë shëndetësore të përkeqësuar, pasi konflikti me Rusinë i cili ka hyrë në muajin e gjashtë vazhdon të përshkallëzohet, njofton Organizata Botërore e Shëndetësisë.

OBSH ka ngritur alarmin për një krizë shëndetësore në Ukrainë, pasi sipas zyrtarëve stafi mjekësor në Ukrainë është i mbingarkuar.

Sipas OBSH, në Ukrainë janë raportuara në total 434 sulme në infrastrukturat shëndetësore.

Koordinatorja e OBSH-së për Ukrainën Heather Papovich tha se ekipet shëndetësore në shumë zona janë mësuar të punojnë me predha që bien jashtë dritareve të tyre.

Papovich, e cila vizitoi Ukrainën javën e kaluar, tha se OBSH është më e shqetësuar për zonat që ekipet e saj nuk mund të hyjnë për shkak të luftimeve ose pushtimit rus, duke përfshirë rajonin lindor të Donbasit dhe Kherson në jug.

“ Çështja më e madhe është të kesh akses, kjo është ajo që na mban zgjuar natën ,” tha Papovich, duke përmendur problemet në ato zona në transportin e ilaçeve për njerëzit me sëmundje kronike ose që kanë të bëjnë me trauma fizike dhe mendore.

Kontrolli i sëmundjeve është gjithashtu një faktor shqetësues. Ukraina ka mbulim të ulët vaksinimi për fruthin dhe poliomielitin dhe janë ngritur shqetësime për rrezikun e shpërthimit të kolerës.
Asnjë shpërthim kolere nuk është konfirmuar deri më tani në vend, tha Papovich.

OBSH gjithashtu punon së bashku me sistemet kombëtare shëndetësore për të mbështetur shëndetin e refugjatëve që janë strehuar në vendet fqinje.

Më shumë se gjashtë milionë njerëz janë larguar nga luftimet në Ukrainë dhe po aq janë zhvendosur brenda vendit.

 

Show More

Related Articles

Back to top button