
Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra të rinj evakuimi për pjesë të mëdha të Libanit jugor, duke i shpallur këto zona “zona luftimi” përpara një vale të re operacionesh kundër Hezbollahut.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) u kërkuan banorëve të zhvendosen në veri të lumit Zahrani, rreth 40 kilometra larg kufirit me Izraelin.
Sipas IDF-së, ushtria do të veprojë “me forcë ekstreme” ndaj objektivave të Hezbollahut, të cilin e akuzon për shkelje të përsëritura të armëpushimit të hyrë në fuqi më 17 prill.
Ky konsiderohet urdhri më i madh i evakuimit që prej nisjes së armëpushimit dhe prek rreth 14% të territorit të Libanit.Më herët gjatë së mërkurës, Izraeli kreu sulme ajrore në qytetin jugor të Tiros, ndërsa Hezbollahu deklaroi se luftëtarët e tij janë përleshur me trupat izraelite në disa zona të jugut të vendit. Sulmet erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi zgjerimin e operacionit tokësor, pas sulmeve me dronë të Hezbollahut ndaj trupave izraelite dhe civilëve në veri të Izraelit.
IDF ka lëshuar nëntë paralajmërime për evakuim brenda 24 orëve të fundit, duke rritur frikën për një përshkallëzim të madh të konfliktit përgjatë kufirit Izrael-Liban.
Urdhri përfshin rreth 300 qytete dhe fshatra, ndërsa mijëra banorë të zhvendosur nuk kanë më vende të sigurta ku të strehohen.Përshkallëzimi i fundit kërcënon të dëmtojë përpjekjet diplomatike për armëpushim dhe rrit frikën për një konflikt më të gjerë rajonal mes Izraelit, Hezbollahut dhe Iranit.



