Polonia thirri ambasadorin e Bjellorusisë në Varshavë të enjten për të protestuar kundër dënimit me pesë vjet burg të një gazetareje të akuzuar nga autoritetet bjelorruse “për nxitje të protestave antiqeveritare”.
Gazetarja Iryna Slaunikava, nga televizioni polak “Belsat TV” u shpall fajtore nga një gjykatë bjelloruse të mërkurën. Sipas akuzës ajo është përgjegjëse për drejtimin e një grupi ekstremist dhe organizimin e aktiviteteve që prishin rendin shoqëror, gjatë protestave të vitit 2020 që nisën në Bjellorusi.
“Polonia i paraqiti pozicionin e saj palës bjelloruse dhe ne po fokusohemi të ndihmojmë këta njerëz, kryesisht në nivel ndërkombëtar”, tha Lukasz Jasina, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Polonisë. Agjencia e lajmave Reuters nuk mundi të merrte një reagim nga ambasada bjelloruse në Poloni.
Gazetarja Slaunikava u arrestua në muajin tetor, të vitit të kaluar, në një aeroport teksa po kthehej nga pushimet. Pjesa më e madhe e seancave gjyqësore ndaj saj u mbajtën me dyer të mbyllura, por ajo ndodhej në kafazin e gjykatës kur u dha vendimi.
Muajin e kaluar, një gjykatë bjelloruse dënoi një tjetër gazetar të televizionit “Belsat” me tetë vjet burg për tradhti.
Grupi bjellorus i të drejtave “Vesna-96” vlerëson se Bjellorusia mban rreth 1,300 të burgosur politikë, shumë të arrestuar gjatë protestave kundër presidentit Alexander Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1994.