BotaLajme

 Hapen portet ukrainase në Detin e Zi / Edhe tre anije me grurë nisen drejt Turqisë

Edhe tri anije të mbushura me drithëra u nisën nga Ukraina gjatë të premtes, në bazë të marrëveshjes të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të rikthyer eksportet e drithërave dhe produkteve bujqësore, tha Ministria turke e Mbrojtjes. Tri anijet u larguan nga portet ukrainase në Detin e Zi. “Planifikohet që edhe tri anije të largohen nga Ukraina nesër”, tha ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu. Ai tha se edhe një anije pa ngarkesë pritet të niset drejt Ukrainës, pasi aktualisht po inspektohet në Stamboll. Akar ka zhvilluar bisedime me ministrat e Mbrojtjes dhe Infrastrukturës së Ukrainës lidhur me situatën rreth dërgesave të drithërave, u tha në njoftim. Ky njoftim vjen një ditë pasi anija e parë kaloi Stambollin qëkur marrëveshja për eksportin e drithërave u arrit. Anija u nis nga porti ukrainas i Odesës më 1 gusht dhe ka për destinacion portin libanez të Tripolit. Moska dhe Kievi arritën marrëveshje muajin e kaluar për rikthimin e eksporteve. Marrëveshja u arrit nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së dhe synon të zhbllokojë tri portet ukrainase, që janë bllokuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Marrëveshja kërkon që një ekip ndërkombëtar, i përbërë nga zyrtarë nga Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina të mbikëqyrin inspektimet dhe kalimin e anijeve nëpër Bosfor. Ky ekip tha përmes një deklarate se anija e parë me sukses ka lundruar dhe se marrëveshja ende po respektohet. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka diskutuar përmes telefonit me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, për zbatimin e marrëveshjes, njoftoi Ankaraja. Por, detaje të kësaj bisede ende nuk janë publikuar.

Show More

Related Articles

Back to top button