Zv.ministri i Jashtëm kinez Deng thirri të enjten të dërguarit e vendeve përkatëse të BE-së në Kinë për të shprehur pakënaqësinë serioze të Kinës mbi deklaratën negative lidhur me çështjen e Tajvanit të publikuar nga ministrat e jashtëm të G7-s dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
Deng Li tha se ministrat e jashtëm të vendeve të G7-s dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë publikuan të mërkurën në mbrëmje një deklaratë për çështjen e Tajvanit. Kina e kundërshton me vendosmëri këtë dhe paraqet pakënaqësinë e vet serioze dhe protestë të fortë.
Deng Li vuri në dukje se parimi i “Një Kine” është një normë bazë e njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe një konsensus i përgjithshëm i bashkësisë ndërkombëtare, është baza politike e shkëmbimeve të Kinës me vendet e tjera dhe një vijë e kuqe dhe fundore e pakapërcyeshme. Parimi i “Një Kine” është i prerë, domethënë, ka vetëm një Kinë në botë.
Numri dy i diplomacisë kineze vuri në dukje se vizita e Pelosit në Tajvan është një manipulim i pastër politik dhe një shkelje e hapur dhe serioze e sovranitetit dhe e integritetit territorial të Kinës. Kina patjetër e kundërshton atë dhe do të përgjigjet në mënyrë të vendosur.
Zv.ministri i Jashtëm theksoi se opinioni publik nuk mund të cenohet, duke shtuar se çështja e Tajvanit lidhet me ndjenjat kombëtare të popullit kinez. Ruajtja e sovranitetit kombëtar dhe e integritetit territorial është një nga konsensuset më të mëdha të popullit kinez më shumë se 1.4 miliardësh.
“Ne jemi të gatshëm të përpiqemi për perspektivën e ribashkimit paqësor me sinqeritetin më të madh, durimin më të madh dhe përpjekjet më të mëdha, por gjithashtu do të tregojmë vendosmërinë më të fortë, do të përdorim të gjitha mjetet dhe do të ndalojmë me çdo kusht ndarjen e vendit. Asnjë vend, asnjë forcë dhe asnjë individ nuk duhet të keqgjykojë vendosmërinë e madhe, vullnetin e fortë dhe aftësinë e fuqishme të qeverisë dhe popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial dhe për të arritur ribashkimin kombëtar e përtëritjen kombëtare!” u shpreh Deng-u.