BotaLajme

Turqia tregon kushtet për Suedinë e Finlandën, Kroacia i del në krah Erdoganit!

Kundërshtimi i Turqisë e pati ndikimin e vet: Të dërguarit e NATO-s nuk arritën një konsensus të mërkurën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Finlandën dhe Suedinë, thanë diplomatët.

Takimi u mbajt në selinë e aleancës në Bruksel pasi ambasadorët e dy vendeve nordike paraqitën kërkesat me shkrim për t’u bashkuar me organizatën ushtarake, një lëvizje që shënon një nga pasojat më të mëdha gjeopolitike të luftës së Rusisë në Ukrainë – dhe që mund të rishkruajë hartën e sigurisë së Europës.

Diplomatët nuk pranuan të thonin saktësisht se kush ose çfarë po e pengonte procedurën. Por Turqia e ka bërë të qartë publikisht se nuk pajtohet me këtë lëvizje, teksa presidenti Rexhep Tajip Erdogan këmbëngul se Finlanda dhe Suedia duhet të tregojnë më shumë respekt për shqetësimet turke rreth terrorizmit.

Ai po refuzon të heqë dorë nga ajo që ai thotë se është mbështetja e supozuar e këtyre dy vendeve për militantët kurdë. Madje së fundi, sipas disa raporteve në media, ka kërkuar prej tyre që të dorëzojnë 30 terroristë të PKK-së siç i quan ai në këmbim të dritës jeshile të Ankarasë për anëtarësimin. Kundërshti duket se nuk ka vetëm Turqia megjithatë.

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanovic dëshiron që vendi i tij të ndjek shembullin e Ankarasë në përpjekje për të bllokuar përpjekjet e këtyre dy vendeve për anëtarësim. Milanoviç ka mormarrëveshje të thella me Kryeministrin Andrej Plenkoviç për shumë çështje, përfshirë nëse duhet mbështetur ose jo kërkesa e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në aleancë. Përpara se parlamenti i Kroacisë të ratifikojë anëtarësimin në NATO për të dy vendet nordike, Milanoviç kërkon një ndryshim të ligjit zgjedhor të Bosnjes fqinje që do ta bënte më të lehtë për kroatët e Bosnjës të zgjedhnin përfaqësuesit e tyre në poste drejtuese./TCH/

Show More

Related Articles

Back to top button