Ushtria izraelite nisi sulme vdekjeprurëse kundër, siç tha, objektivave të Xhihadit Islamik në Gaza të premten, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten midis Izraelit dhe grupeve militante palestineze.
Xhihadi Islamik tha në një deklaratë një nga udhëheqësit e tij të lartë, Tayseer Al Jabari, ishte vrarë në sulmin izraelit, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën 10 persona u vranë, duke përfshirë një vajzë 5-vjeçare dhe një grua 23-vjeçare. 75 të tjerë u plagosën ndërsa Izraeli këmbëngul se shumica e të vrarëve ishin militantë.
Një deklaratë e ushtrisë izraelite tha se operacioni ushtarak – të cilin e quajti ‘Gadhja e Agimit’ – kishte në shënjestër Xhihadin Islamik, më i vogli nga dy grupet kryesore militante në Gaza.
Ushtria izraelite tha se fokusi kryesor i veprimit të saj ushtarak ishte një sulm ajror parandalues në Al Jabari dhe sulme ndaj dy skuadrave antitank që ishin në rrugë për të kryer një sulm ndaj forcave izraelite.
Një “situatë e veçantë” është shpallur në zonat përreth Gazës, në pritje të sulmeve të mundshme me raketa ose sulmeve të tjera hakmarrëse, tha ushtria izraelite.
“Qëllimi i këtij operacioni është eliminimi i një kërcënimi konkret kundër qytetarëve të Izraelit dhe civilëve që jetojnë pranë Rripit të Gazës, si dhe shënjestrimi i terroristëve dhe sponsorëve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Kryeministrit të Izraelit Yair Lapid dhe Ministrit të Mbrojtjes Benny Gantz.
“Qeveria izraelite nuk do të lejojë që organizatat terroriste në Rripin e Gazës të vendosin axhendën në zonën ngjitur me Rripin e Gazës dhe të kërcënojnë qytetarët e shtetit të Izraelit. Kushdo që përpiqet të dëmtojë Izraelin duhet ta dijë: Ne do t’ju gjejmë.” tha Lapidi.
Xhihadi Islamik po ashtu është deklaruar pas sulmeve duke thënë se fusha e betejës është e hapur.
“Të gjitha opsionet janë të hapura, me të gjitha mjetet që ka rezistenca palestineze, qoftë në Gaza apo jashtë saj”, tha zëdhënësi Daoud Shehab në Al Jazeera.
“Fusha e betejës është e hapur… Rezistenca do të përgjigjet me gjithë forcën. Ne nuk do të themi se si, por është e pashmangshme.”
© SYRI.net