Kina dhe Koreja e Jugut arritën konsensus të martën për të ruajtur së bashku qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit.
Marrëveshja u arrit gjatë takimit mes këshilltarit të Shtetit e ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe ministrit të Jashtëm të Koresë së Jugut Park Jin në Qingdao të provincës Shandong të Kinës Lindore.
Wang tha se disa vende e kanë politizuar ekonominë, e kanë instrumentalizuar tregtinë dhe i kanë kthyer në armë standardet, duke minuar stabilitetin e zinxhirëve globalë të prodhimit e të furnizimit.
Duke vënë në dukje se të dy vendet janë përfituese e ndërtuese të sistemit global të tregtisë së lirë, ai i bëri thirrje Koresë së Jugut që të kundërshtojë së bashku me Kinën veprime të tilla që bien ndesh me rregullat e tregut e të ruajnë së bashku sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit.
Të dy palët ranë në një mendje të përshpejtojnë bisedimet për fazën e dytë të negociatave të marrëveshjes së tregtisë së lirë, të dialogojnë për ruajtjen e qëndrueshmërisë së zinxhirëve të furnizimit, t’i përmbahen liberalizimit të tregtisë e investimeve dhe të zbatojnë parimet e mosdiskriminimit, mospërjashtimit, hapjes dhe tejdukshmërisë.
Dy ministrat e jashtëm patën gjithashtu një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh për çështjen e sistemit THAAD. Ata ranë dakord që të dyja palët duhet t’u kushtojnë rëndësi shqetësimeve të sigurisë të njëra-tjetrës dhe të përpiqen të trajtojnë siç duhet këtë çështje, për të siguruar që ajo të mos bëhet pengesë në marrëdhëniet dypalëshe.