U mbushën 110 vjet nga Çlirimi i Shkupi nga kryengritësit shqiptarë, të prirë nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi e atdhetarë të tjerë, të cilët përmbyllën çlirimin e vilajetit të Kosovës nga pushtimi osman.
Kjo ngjarje historike u kujtua sot përmes një akademie solemne në Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në të cilën foli pasardhësi i Hasan Prishtinës, Memet Prishtina.
“Të jemi mirëkuptues mes vete dhe bashkëpunues me miqtë tanë të afërt dhe të largët, pa harruar “bajraktarin” e miqve Amerikën. E cila u gjend afër si komb atëherë kur e kishim më të vështirë”, tha Mehmed Prishtina, pasardhësi Hasan Prishtinës.
Si pasardhës i Isa Boletinit, foli Gazmend Boletini, duke bërë thirrje që shqiptarët të jenë sa më të bashkuar.
“Unë thërras që të jemi sa më të bashkuar, ashtu siç ishin gjyshërit tanë, sepse ata hyrën të pastër në revolucion dhe mbetëm të varfër për çështjen kombëtare”, tha Gazmend Boletini, pasardhësi Isa Boletinit.
Pasardhësi i Idriz Seferit, Sabri Kadriu, tha se kur sulltanët e mbretërit serbë i kanë ofruar që fëmijët t’i shkollojë në universitetet e tyre, ai nuk i ka dhënë, duke u përgjigjur se shqiptarët do ti bëjnë shkollat shqipe.
“Nëse Turqia na pengoj neve, ne tani po i ofrojmë Turqisë një Universitet me nivel botëror. Në Stamboll me 5 milion shqiptarë, ose në Turqi me 25 milion shqiptarë, tani kur them forumi për bashkëpunim ndërkufitar, të cilat kemi shumë projekte që nuk i them dhe se i kemi realizuar, atëherë them që këto kufi në Ballkan janë “gardhicë me hu të kalbur””, pohoi Sabri Kadriu, pasardhësi Idriz Seferit.
Shënimi i 110 vjetorit të çlirimit të Shkupit vazhdoi me vendosje të kurorave me te përmendorja e Hasan Prishtinës në Shkup. Nderime u bënë edhe te përmendorja e Isa Boletinit në Saraj.