VMRO-DPMNE-ja kërkon që LSDM-ja dhe BDI-ja të dënojnë fishkëllimat dhe brohoritjet e publikut gjatë kohës kur prezantuesja u drejtua në maqedonisht, në skenën e të ashtuquajturit “Festival i paqes” për 21 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas partisë opozitare, ky është edhe një nënçmim tjetër që i bëhet gjuhës maqedonase, përskaj marrëveshjeve të dëmshme me Bullgarinë.
“E gjithë kjo ngjarje dhe skandalet që lidhen me të nxjerrin në sipërfaqe ndarjen e shoqërisë dhe ekzistencën e dy botëve paralele, një ndarje artificiale mes qytetarëve në shtet të cilën qeveria e bën me qëllimin e vetëm që të mund të vjedhë ndonjë denarë më shumë. Kjo ngjarje duhet të nënkuptonte paqe por tregon se si janë harxhuar mijëra euro për këngëtarë, ketering, video spote dhe vargje poezishë. Mbi 100 mijë euro Kovaçevski dhe Grubi harxhuan për këtë festë partiake në të cilën u nënçmua gjuha maqedonase”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Provokimet e këtilla LSDM-ja tha se janë nga individë të caktuar.
“Provokimet e këtilla nuk do të na demotivojnë. Përkundrazi, do të na motivojnë edhe më shumë që të veprojmë së bashku, së bashku ta zhvillojmë dhe të jemi pjesë e progresit në vendin tonë. I dënojmë të gjithë ata që në këtë mënyrë ose në mënyrë të ngjashme do të mundohen ta hijezojnë ose ta nënçmojnë gjuhën maqedonase ose cilëndo gjuhë tjetër në vendin tonë ose cilindo grup etnik në vendin tonë”, theksoi Darko Kaevski, LSDM.
Por, Qeveria synon që këtë event ta shndërrojë në tradicional. Zv.kryeministri i parë Artan Grubi shprehu synimet e tij që manifestimi të marrë formën e një festivali të ngjashëm si “Sunny Hill” në Kosovë ose “Exit” në Serbi.
Megjithatë, për dallim prej dy eventeve të huaja të cilat financohen nga donatorë, koncerti për Marrëveshjen e Ohrit u pagua me para të buxhetit të shtetit. Mediat bënë të ditur se këngëtarët janë paguar nga rreth 10 mijë euro, autori i himnit mbi 5 mijë euro, përkthyesit nga 1 mijë euro kurse shpenzimet në total kanë arritur shifrën e 100 mijë eurove./Alsat.mk/