BotaLajme

Guterres në Ukrainë, takohet me Zelenskyn dhe Erdoganin

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të takohet gjatë ditës së sotme me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Guterres ka arritur kryeqytetin e Ukrainës, Lviv, më 17 gusht.
Në takim do të diskutohet mbi situatën e tensionuar në centralin bërthamor të Zaporizhjas, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin me Rusinë.

Guterres dhe komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur shqetësim të thellë për rrezikun e katastrofës në centralin bërthamor, i cili është më i madhi në Evropë.

Dyzetedy shtete nga e mbarë bota kanë nënshkruar një deklaratë përmes së cilës i bëjnë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga centrali bërthamor i Zaporizhjas.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mund të ndihmojnë në organizimin e një vizite të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në Zaporizhja, por Moska ka thënë se çdo mision që kalon përmes kryeqytetit të Ukrainës është shumë i rrezikshëm, pavarësisht zotimit se do të bëjë gjithçka që është e mundshme për të siguruar qasjen ndërkombëtare në central.

Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për bombardimet pranë centralit bërthamor që ndodhet në Ukrainën lindore, të cilën forcat ruse e morën nën kontroll në fazat e hershme të pushtimit të tyre më 24 shkurt.

Më 19 gusht, shefi i OKB-së do të vizitojë një port ukrainas të Detit të Zi, i cili së fundmi ka rifilluar eksportet e grurit.

Tre porte të Detit të Zi u zhbllokuan muajin e kaluar sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, duke bërë të mundur dërgimin e qindra mijëra tonëve drithë ukrainas për blerësit ndërkombëtarë.

Marrëveshja synon të lehtësojë krizë globale ushqimore, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk