Negociatat për lirimin apo këmbimin e pengjeve janë një provë delikate në diplomaci dhe trajtohen në nivelet më të larta të qeverisë amerikane. Kohët e fundit administrata e presidentit Biden sqaroi qëndrimin e saj për këtë çështje – por a vjen kjo në kohë për lirimin e disa pengjeve të profilit të lartë të mbajtur jashtë vendit? Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton nga Uashingtoni.
Shtëpia e Bardhë përballet me presion të vazhdueshëm nga më shumë se 60 familje amerikane, të afërmit e të cilëve mbahen peng jashtë vendit, duke përfshirë një rast, familja e të cilit po shënon 10 vjet pa e parë.
Austin Tice është zhdukur në Siri që nga gushti i vitit 2012 – kohëzgjatja më e madhe për një gazetar amerikan. Qeveria e Sirisë mohon ta mbajë atë si peng, gjë që Departamenti i Shtetit e hedh poshtë.
“Ne besojmë edhe sot e kësaj dite se Siria ka ende fuqinë për të liruar Austin Tice. Kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje regjimit sirian që ta bëjë këtë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Por situatat e pengjeve janë rrallë herë të thjeshta dhe shpesh diskutohen në nivelet më të larta të qeverisë. Në fillim të këtij viti, administrata e Presidentit Joe Biden mbikëqyri një shkëmbim të të burgosurve për lirimin e Trevor Reed-it, një ish-marins i mbajtur në Rusi që nga viti 2019.
Muajin e kaluar, pasi ylli i basketbollit Brittney Griner doli para një gjykatë ruse nën akuzat për drogë, administrata ndryshoi politikën e saj të pengjeve, duke lejuar agjencitë të vendosin sanksione dhe ndalime vizash si ndaj aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë që po mbajnë amerikanët.
Ata që bëjnë fushatë për të liruar zotin Tice i mirëpritën këto ndryshime dhe po i bëjnë thirrje presidentit Biden të veprojë.
Drejtuesi i këtyre përpjekjeve i tha Zërit të Amerikës se qeveria siriane, në një takim të vitit 2020 me zyrtarë amerikanë, tregoi se kërkon pakësimin e trupave amerikane në Siri, lehtësimin e sanksioneve dhe angazhimin e kufizuar diplomatik të Uashingtonit në Damask.
“Ajo që duhet të ndodhë tani është të vihet në tryezë një ofertë dhe janë Shtetet e Bashkuara ato që duhet ta bëjnë këtë veprim”, thotë Bill McCarren pjesë e ekipit për lirimin e gazetarit Austin Tice.
Por ata që kanë punuar në Shtëpinë e Bardhë thonë se durimi është thelbësor.
Phillip Bobbitt, tani profesor i drejtësisë, punonte në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar të vitit 1981, teksa presidenti Ronald Reagan po bënte betimin dhe udhëheqësi suprem i Iranit liroi 52 pengje amerikane pas 444 ditësh.
“Presidenti duhet të ketë besim tek negociatorët e tij. Nëse ai përpiqet të shpejtojë kthimin e pengjeve me kërcënime më dramatike, apo me lëshime më dramatike, edhe nëse ia del mbanë, në rastin konkret, do t’i bënte gjërat më të vështira për Shtetet e Bashkuara, nëse merren pengje sërish në të ardhmen”.
Por për familjet, ky proces mund të jetë torturues – dhe prapë mund të dështojë. Diane Foley e mësoi këtë tetë vjet më parë.
Djali i saj James, një gazetar, ishte rrëmbyer nëntë muaj më parë në Siri nga një grup militantësh besnikë ndaj presidentit të Sirisë.
Më 19 gusht, rrëmbyesit publikuan një video rrëqethëse, ku shfaqej Foley. Atij i ishte prerë koka.
Nëna e gazetarit Foley tha se ajo i mirëpret ndryshimet që janë bërë qysh atëherë.
Ajo foli për Zërin e Amerikës ndërsa përgatitej të udhëtonte për në Virxhinia për dënimin e një prej personave të fajësuar për rrëmbimin dhe vrasjen e djalit të saj.
“Sigurisht që janë bërë përparime. Në vitin 2015, u krijua njësia për rikthimin e pengjeve, me një të dërguar special dhe të gjithë strukturën. Kur Jim-i u mor peng, nuk kishte asgjë të tillë. Pra, të paktën kemi njerëz përgjegjës për kthimin e amerikanëve. //Padyshim që ka një ndërgjegjësim të shtuar në nivelet më të larta të qeverisë sonë”.
Zoti McCarren argumenton se rruga e familjes Foley drejt drejtësisë tregon se qeveria amerikane nuk e ka të lehtë ndryshimin.
“Kjo nuk është një çështje e thjeshtë, ku, ose mund ta lirosh pengun, ose ta mbash personin përgjegjës përpara drejtësisë. Mund t’i bësh të dyja këto. Dhe kjo është ajo që mendoj se ngurtësia e politikës amerikane nuk e lejon”.
Por për familjet Griner, Whelan dhe dhjetëra amerikanëve të tjerë të mbajtur peng jashtë vendit – kërkesa për Shtëpinë e Bardhë është e vazhdueshme, e palëkundur dhe e thjeshtë: Sillini amerikanët në atdhe./voa/