Reagimi kundër luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë, ka nisur të shprehet gjithnjë e më hapur në mbarë Rusinë. Për herë të parë, presidenti Putin po shkakton një zhgënjim të madh në të gjitha anët e spektrit politik. Ata që e mbështetin luftën, i shohin përpjekjet e tij ushtarake në Ukrainë si të dobëta dhe jo të përshtatshme.
Ata që e kundërshtojnë, i shohin të njëjtat veprime si krime lufte, si kundër Ukrainës, ashtu edhe kundër Rusisë, atdheut të tyre. Lufta është një “biznes” i kushtueshëm. Vetëm gjatë muajit prill, Rusia mori 133 miliardë rubla më pak të ardhura nga nafta dhe gazi sesa pritej, ndërsa rënia e standardit të jetesës është tashmë diçka e pashmangshme.
Më parë, të gjitha kundërshtimet ndaj regjimit neutralizoheshin nga flukset mëdha të parave, si dhe nga pakti që kishte bërë Putin me njerëzit e tij:”Pranojeni sundimin tim, dhe në këmbim do të përfitoni rritje pensionesh, bonuse dhe udhëtime jashtë vendit”.
Tani ky pakt është rrëzuar, dhe i vetmi justifikim për regjimin e tij është “A nuk e dini se ka një luftë?” dhe “Nuk mund të ndërroni kuajt kur jeni ende në mesin e lumit!”. Kjo nuk do të thotë se në Rusi është duke ndodhur një revolucion si ai në Ukrainë disa vite më parë.
Grupime të ndryshme sociale, kanë arsye të ndryshme për të protestuar. Pjesa më e madhe e kundërshtimit vjen nga e djathta ekstreme, duke ushqyer pakënaqësi kundër “elitave të korruptuara” që sërish e kanë “tradhtuar ushtrinë” – teoria e zakonshme e “thikës pas shpine”, kur një ushtri e dështuar ia kalon politikanëve përgjegjësitë për dështimin e saj.
Por trazirat po vijnë edhe nga qarqe të tjera. Në rajonin e Tulës, një nënë e shkatërroi simbolin Z (simboli e luftës së Putinit) që ishte afishuar në dritaret e kopshtit të fëmijës së saj. Kur administrata e kritikoi duke i thënë se kishte “përdhosur simbolet shtetërore”, gruaja u tha se ajo ishte një “propagandë shtetërore që e përdhos kopshtin”.
Gruaja u gjobit me 48.000 rubla, ose rreth 5000 paund. Edhe midis publikut të gjerë, ka shumë pak shenja të njerëzve që e mbështesin aktivisht axhendën e luftës. Rrallëherë mund
të shihet bluza me simbolin “Z” në makinat e qytetarëve. Në fakt, ka pasur shumë raporte
për dëmtimin e makinave që bartin simbole të tilla.
Këto protesta janë një dritë shprese për shumë rusë që e urrejnë Putinin, por që nuk janë ende të gatshëm të ndërmarrin veprime konkrete kundër tij. Me narrativën e kundërshtimit të hapur, kanë filluar të shfaqen edhe forma të tjera akoma më radikale të protestës.
Kështu janë raportuar një seri sulmesh përmes zjarrvënies ndaj zyrave të rekrutimit në të gjithë Rusinë (të paktën 12 të konfirmuara), që synojnë të shkatërrojnë regjistrat e rekrutëve të mundshëm. Edhe mediat kanë nisur të reagojnë ndryshe. Një uebsajt i rëndësishëm lajmesh, Lenta.ru, botoi kohët e fundit kritika të ashpra ndaj Putinit dhe luftës së tij (postimet u hoqën me shpejtësi, por gjithsesi mbeten në arkivat e internetit).
I atribuar fillimisht hakerëve, dy nga punonjësit e Lenta morën më pas përgjegjësinë për shkrimin, duke thënë se qëllimi i tyre ishte të bashkonin të gjithë ata që e kundërshtojnë luftën, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike.
Pastaj janë edhe mediat në provinca, jashtë radarit të autoriteteve federale, por që pretendojnë se pasqyrojnë ndjenjat e vërteta të rusëve. Në një uebsajt lajmesh në Volgograd, u botua një artikull në lidhje me një tubim pro luftës të organizuar nga nëpunësit civilë. “Të gjithë ata që u mblodhën në miting kishin besim tek e ardhmja”, frazë që shoqërohej me foton e një gruaje të ngrysur në fytyrë.
Shumë uebsajte lajmesh kanë një seksion komentesh për lexuesit, dhe përmbajtja që lidhet me luftën komentohet nga dhjetëra, madje edhe qindra qytetarë. “Ne nuk jemi Koreja e Veriut. Aty të gjithë e duan liderin e tyre. Por në vendin tonë, 80 për qind e urrejnë atë”- shkruhej në një koment.
Një tjetër lexues shkruante:”Kjo është një mënyrë e çuditshme për të mbrojtur veten. Duket sikur, në përpjekje për të mbrojtur shtëpinë tënde, i thyen dritaren fqinjit, duke i thënë se po ju shihte me ironi, apo se po mprehte një thikë në kuzhinë!”.
Ndërkohë në rrugë po shfaqen lloje të reja grafitesh. Në njërën prej tyre mbi disa godina në Novosibirsk, Putin paraqitet me litarin e xhelatit në vend të kravatës. Në Shën Petersburg, një shesh lojërash për fëmijë ishte “dekoruar” me pikturën të një ushtari të maskuar që përqafonte një vajzë të vogël. Nën të dikush kishte shkruar:”Unë kam vrarë nënën tënde’!”.
Mediat sociale japin çdo ditë dëshmi se ndryshe nga protestat në rrugë, një rezistencë e
tillë po forcohet nga dita në ditë. Në fillim, modeli i këtyre protestave mund të duket i palogjikshëm:Në Moskë dhe Shën Petersburg, zona nivelet më të larta të protestave në vend, viktimat nga lufta janë shumë të ulëta – respektivisht 26 dhe 12 vdekje të konfirmuara.
Ndërkohë zonat me shkallën më të lartë të viktimave, janë jo vetëm më pak rebele, por edhe ndër pjesët më të varfrat në Rusi. Midis tyre janë Dagestan (146 viktima të konfirmuara) dhe Buryatia (105), duke treguar se konflikti është në thelb një luftë koloniale, e zhvilluar kryesisht nga trupat koloniale.
Për të përshtatur një frazë të njohur, është e qartë se rusët janë gati të luftojnë për Ukrainën deri në banorin e fundit të Buryatin. Këto rajone janë shpesh mbështetëset më të zjarrta pro luftës. E megjithatë protestat kundër luftës po zgjerohen.
Që nga shkurti, në mbarë vendin ka mbi 2000 padi penale kundër njerëzve të akuzuar për “diskreditim” të ushtrisë ruse sipas ligjeve të reja për lajmet e rreme. Dënimi për shumicën e shkelësve për herë të parë, është një gjobë prej mesatarisht 34.000 rubla (afro gjysma e pagës mesatare vjetore në Rusi), ndërsa shkelësit e përsëritur mund të burgosen.
Nga 85 rajone në Rusi, vetëm tre – Tuva, Çeçenia dhe Magadan – nuk kanë asnjë padi penale në lidhje me luftën. A do të prodhojnë këto protesta një ndryshim rrënjësor të situatës? Ndoshta jo, por ato tregojnë me siguri dëshirën për të rezistuar, dhe për të shprehur mendimin e lirë, pavarësisht nga pasojat.
Protestat kundër luftës mund të mos e ndalin luftën, por ato duhet ta afrojnë Rusinë me ditën kur një shumicë kritike qytetarësh ta kuptojnë se sa e pakuptimtë është ajo, dhe t’i nxisin ata të veprojnë. Për sa i përket kuptimit të asaj “shumicë kritike”, është e dobishëm komenti i kompozitorit të njohur rus Dmitri Shostakovich mbi Revolucionin Rus:”Njerëzit pushuan së besuari tek Cari. Populli rus është gjithnjë i tillë. Ata besojnë vazhdimisht, dhe pastaj papritmas gjithçka merr fund. Dhe ai që e ka humbur besimin e njerëzve pëson një fund
tragjik”