Vetëm në Vjenë, në dhjetë vitet e ardhshme do të nevojiten 10 mijë infermierë të rinj. Mungesa e personelit mjekësor në spitalet e Vjenës po përkeqësohet: Rreth 2000 vende janë aktualisht të lira vetëm në spitalet komunale.
Si pasojë e kësaj, disa reparte në këto spitale janë para mbylljes. Siç raporton orf.at, në klinikën spitalore në qarkun Favoriten janë 147 shtretër të mbyllur. Në qarkun Ottakring, një klinikë kirurgjikale traumatike është mbyllur tërësisht.
Stafi ekzistues në spitalet e Vjenës është i mbingarkuar me punë, qoftë me marrje të përgjegjësive shtesë, qoftë me orare të stërzgjatura. Në dhjetë vjetët e ardhshme mendohet se në Vjenë do të nevojiten rreth 10 mijë infermierë të rinj.
Gjendja aktuale në spitale nuk është pa pasoja për pacientët. Sipas Michael Binder, drejtor mjekësor i Shoqatës së Shëndetit të Vjenës, ekziston mundësia që pacientët e shteteve të tjera federale (Bundesländer), të cilët vijnë në Vjenë për një shërbim më cilësor, të udhëzohen për t’u mjekuar në rajonet e tyre.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në sistemin e kujdesit shëndetësor është një problem prej kohësh. Sipas Binder, ky profesion duhet të bëhet më atraktiv. Aktualisht janë 3600 persona në trajnim në Vjenë, nga asistentët e infermierisë deri te punëtorët e kualifikuar.