Bankat ruse humbën një total prej 1.5 trilion rubla (24.95 miliardë euro) në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, tha sot një zyrtar i lartë i bankës qendrore ruse në një intervistë me të përditshmen e biznesit RBC.
Është hera e parë që ky organ rregullator publikon bilancin e sektorit bankar që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt.
Rreth dy të tretat e humbjeve të bankave lidhen me operacionet e këmbimit valutor, tha Dmitry Tulin, zëvendësguvernator i parë i bankës qendrore ruse, raporton Reuters.
Tulin tha se ka më shumë se 50 për qind mundësi që humbjet për të gjithë vitin të mos kalojnë shifrën prej 1.5 trilion rubla nga gjysma e parë e vitit, raporton reuters. Humbjet u përqendruan te bankat më të mëdha.
Bankat me humbje shënuan një humbje totale prej 1.9 trilion rubla (31.6 miliardë euro), krahasuar me huadhënësit fitimprurës që fituan një total prej 400 miliardë rubla (6.65 miliardë euro).
Banka qendrore nuk pret një përsëritje të krizës bankare të viteve 2014-2017, kur iu desh të shpëtonte disa institucione krediti dhe të revokonte licencat e biznesit të qindra bankave me kapital të dobët.