Gjenerali amerikan, Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm tha se pushtimi rus i Ukrainës është një dështim ushtarak, pasi forcat e Moskës që kanë arritur vetëm “sukses të vogël taktik në pjesë të ndryshme të Ukrainës lindore”.
“Deri më tani objektivat strategjike ruse janë mposhtur”, u tha Milley mbështetësve të Ukrainës, të cilët ishin mbledhur në bazën ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani.
“Kjo është për shkak të dështimeve të tyre. Dhe gjithashtu për shkak të trimërisë së … ushtrisë ukrainase, trimërisë së popullit ukrainas dhe mbështetjes së vendeve që ishin sot në Grupin e Kontaktit”.
Ai tha se ukrainasit kanë goditur mbi 400 objektiva.
“Linjat ruse të komunikimit dhe zinxhirët e furnizimit janë shumë të tendosura. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë ruse për të projektuar dhe mbajtur fuqinë luftarake. Komanda dhe kontrolli rus në selinë qendrore janë ndërprerë,” tha Milley, duke shtuar se Moska ka ” vështirësi të mëdha për të rifurnizuar forcat dhe për të zëvendësuar humbjet në luftë”.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt. /REL/