90 ndërmarrje komunale, ofrues të shërbimeve komunale, kërkojnë ndihmë nga Qeveria dhe Komisioni Rregullator për Energjetikë për shkak të faturave dhjetëfish më të larta për energji elektrike. Deri më tani, thonë se kanë hasur në vesh të shurdhët të Qeverisë për problemet me të cilat po përballen. Shtojnë se në një situatë të tillë kanë dy zgjedhje:
“Falimentimi me të cilin do të përballeshim ne si kompani do të shkaktonte mungesë të shërbimeve që ofrojmë, pasiguri për 15 mijë të punësuar dhe pamundësi për të funksionuar. Do të viheshin nën pikëpyetje të ardhurat personale. Dhe opsioni tjetër është që NPK-të të dorëzojnë përllogaritje të reja deri te KRrE-ja për ndryshim të çmimeve”, tha Pece Milevski, “ADKOM”.
Ndërmarrjet publike komunale kërkojnë që rrymën ta paguajnë me çmimin e njëjtë që paguajnë personat fizikë në bllokun 3 pa llogaritur tarifën e lirë dhe të shtrenjtë ose të marrin ndihmë financiare nga shteti për të mbuluar dallimin midis kostove të planifikuara dhe atyre faktike. Kjo sipas Bislimovskit është e paligjshme. Ai pranon se ka ndërmarrje komunale të cilat marrin fatura më të larta se të ardhurat totale dhe në këtë rast, siç pohon, duhet t’u dilet në ndihmë.
“KRrE edhe nëse merr kërkesë për rritje të çmimit nga ndërmarrjet publike komunale, do ta refuzojë të njëjtën, sepse nuk besoj se rritja e çmimit prej 100, 200, 300% do ta zgjidhte problemin. Në fund të fundit, qytetarët dhe familjet në Maqedoni do të duhet ta paguajnë çmimin e rritur. Gjatë rritjes së çmimeve do të rritet edhe mospagimi dhe kjo nuk do të ndikojë në likuiditetin e kompanive”, theksoi Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Bislimovski shpreson se gazi nga Bullgaria do ta zgjidhë problemin i cili është rezultat i çmimeve tejet të larta në bursat botërore.