Interesimi për të studiuar Gjuhën dhe letërsinë shqipe e posaçërisht programin Përkthyes dhe interpretim është vazhdimisht në rënie, tha Ismet Osmani përgjegjës i Katedrës pranë Fakultetit Filologjik “Blazhe Koneski” në Shkup, shkruan Alsat.
Sipas tij mos përfillja e këtyre drejtimeve ka të bëj me largimin e të rinjve jashtë vendit si dhe interesimin e tyre për shkencat tekniko teknologjike.
“Rënia, tani mund të shpjegohet në mënyra të ndryshme për arsye se është një rregull e pashkruar. Një pjesë e madhe e studentëve regjistrohen në fakultetet e teknikës, informatikës, një pjesë në fakultetet e ekonomisë, pastaj juridikut e kështu me radhë. Na mbetet një numër shumë i vogël për këto studimet tjera. Ka edhe probleme të natyrave tjera, një pjesë e të rinjve ikin jashtë, një pjesë tani mund ta quajmë edhe si problem demografik”, tha Ismet Osmani, përgjegjës I Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Shpresa për plotësimin e vendeve të lira mbetet në afatin e dytë për regjistrim, më 15 dhe 16 shtator. Osmani kujton se në afatin e parë janë regjistruar 12 studentë në grupin arsimor dhe vetëm 1 student në grupin e përkthimit.
“Shfrytëzoj rastin ti ftoj kandidatët, ata të cilët kanë kryer shkollimin e mesëm që të paraqiten në këtë program studimor, në grupin e përkthimit për arsye se i kanë mundësitë e mëdha, është një grup jashtëzakonisht atraktiv. Jemi në kontakt me të gjitha institucionet e vendit dhe ata kanë nevojë për përkthyes. E mira është që sivjet Ministria e Arsimit ka ndarë edhe bursa pikërisht për këtë grup studimor”, u shpreh Ismet Osmani, përgjegjës I Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Në drejtimin Gjuhë dhe letërsi shqipe janë paraparë 50 vende të lira ndërsa në grupin e përkthimit 30 vende të lira./ Alsat.mk