BotaLajme

Çekia e shkarkon një diplomat për shkak të spiunimit për Rusinë

Një diplomat i lartë çek është dëbuar nga puna, pas këmbimit të informacioneve me shërbimin rus të inteligjencës, ka thënë Ministria e Jashtme e Çekisë.

Mediat lokale kanë raportuar se ky burrë ka pasur qasje në të dhëna të ndjeshme dhe ka punuar me shërbimin rus të inteligjencës SVR.

“Mund të konfirmoj se kam vendosur të marr masa ndaj një punëtori, i cili ka bashkëpunuar me një fuqi të huaj. Ai nuk do të punojë më në ministri”, ka thënë ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.

“Nuk do të bëj komente tjera për çështje të sigurisë”, ka thënë ai.

E përditshmja çeke, Denik N, ka thënë se ky burrë ka punuar për ministrinë prej viteve 1990 dhe ka qenë i angazhuar edhe nëpër ambasada.

Sipas saj, në kohën kur ai ka qenë në një shtet afrikan, diplomati është takuar me një çift rus që e ka rekrutuar për të punuar në SVR.

Në raportin vjetor për aktivitetet e huaja në tokën armë, autoritetet çeke kanë përsëritur disa herë se Rusia është një prej kërcënimeve më të mëdha.

Republika Çeke, ish-shtet komunist, tani është vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, me 10.5 milionë banorë.

Deri më tani, Praga ka ndarë 154 milionë dollarë amerikanë si ndihmë ushtarake për Kievin, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Show More

Related Articles

Back to top button