Numri i të vdekurve nga shpërthimi i dhunës përgjatë kufirit mes Kirgizisë dhe Taxhakistanit është rritur në afro 100, teksa një armëpushim mes dy vendeve ka hyrë në fuqi, transmeton REL.
Autoritetet në Kirgizi thanë më 18 shtator se numri i të vrarëve ka arritur në 59.
Taxhikistani tha se të paktën 35 qytetarë nga ana e tyrë janë vrarë, por zyrtarë të paidentifikuar i thanë Shërbimit Taxhik të Radios Evropa e Lirë se të paktën 39 shtetas të Taxhikistanit kanë vdekur si pasojë e konfliktit në kufi.
Dy vendet kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit.
Mes të vdekurve dhe të plagosurve raportohet se ka civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Por, këto raportime nuk kanë mundur të verifikohen ende në mënyrë të pavarur.
Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Kirgizisë tha mbrëmjen e 18 shtatorit se situata në kufi ishte “e tensionuar”, por “duke u stabilizuar”.
Përleshjet midis Kirgizisë dhe Taxhikistanit janë më të këqijat që nga viti 2021, kur dhjetëra persona u vranë dhe të paktën 150 të tjerë u plagosën në të dyja anët e kufirit.
Në orët e vona të 17 shtatorit, pasi armëpushimi hyri në fuqi, të dyja palët raportuan se disa fshatra afër kufirit u goditën nga granatimet.
Autoritetet në Taxhikistan akuzuan, më 17 shtator, forcat kirgize se kanë përdorur sisteme të raketahedhësve dhe nga kanë sulmuar nga rajoni Osh komunitetet rurale në qarkun Laksh.
Zyrtarët taxhikë thanë se katër persona u plagosën dhe tri shtëpi u shkatërruan.
Shkaku i shpërthimit të dhunës së fundit është ende i paqartë. Tensionet në Azinë Qendore, veçmas në Luginën Osh, burojnë kryesisht për shkak të kufijve të kohës sovjetike që në mënyrë artificiale ndan grupet etnike dhe komunitetet.
Qasja në ujë po ashtu ka rritur tensionet, teksa ndryshimet klimatike po i bëjnë burimet e ujit më të pakta.
Më herët gjatë javës, shërbimi i rojeve kufitare të Kirgizisë akuzoi forcat e Taxhikistanit se po përdorin tanke, mjete të blinduara dhe mortaja. Taxhikistani, në anën tjetër akuzoi forcat kirgize se kanë bombarduar një qendër komanduese dhe shtatë fshatra me “artileri të rëndë”.
Të dyja shtetet kanë baza ushtarake ruse, por Moska nuk ka luajtur ndonjë rol në luftimet e fundit. Zyrtarët rusë më 16 shtator bënë thirrje për ndaljen e luftimeve.
Mbi 140.000 persona janë evakuuar nga zona e Batkenit, tha ministria e Emergjencave të Kirgizisë.