Amerikanët kanë treguar edhe një herë gadishmërinë e tyre për të mbrojtur me armë sovranitetin e Tajvanit. Vendi ishullor po kthehet në një mollë sherri mes dy superfuqive, Kinës dhe Amerikës.
Presidenti amerikan Biden ka konfirmuar edhe një herë se Amerika është e gatshme ta mbrojë edhe me ushtri sovranitetin e Tajvanit.
Gjatë një interviste për mediet amerikane, i pyetur nëse ushtarët amerikanë do zbrisnin në terren po të pushtohej Tajvani, shefi i Shtëpisë së Bardhë ishte i prerë – Po!
Shtëpia e Bardhë kërkon që të ketë një zgjidhje paqësore të konfliktit mes Tajvanit dhe gjigantit aziatik, Kinës.
Në deklaratat për shtyp, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk përmendin zbarkimin ushtarak, por thonë se Uashingtoni dëshiron ta shohë statusin e Tajvanit të zgjidhet në mënyrë paqësore, por pa folur për një përgjigje ndaj një sulmi të mundshëm kinez.
Kreu i Dhomës Ovale përsëriti gjatë intervistës se Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin pavarësinë e Tajvanit dhe mbetën të përkushtuara ndaj politikës së “Një Kine”, ku Uashingtoni njeh zyrtarisht Pekinin, jo Taipein.
Kina pretendon se Tajvani është pjesë integrale e territorit të saj, ndërkohë që vendi ishullor pretendon pavarësi dhe ka lidhur marrëdhënie të forta me amerikanët, prej të cilëve po blen edhe armë.
Tensionet mes palëve janë rritur pas përpjekjeve të kinezëve për të frikësuar Tajvanin duke bërë stërvitje ushtarake afër vendit ishullor dhe pas vizitës së zyrtares së lartë amerikane Nancy Pelosi.
Kinezët kanë paralajmëruar se amerikanët nuk duhet të luajnë me zjarrin sa i përket Tajvanit.