Gjithsej 57,1 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se janë kundër “propozimit francez”, i cili ishte parakusht për veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, kundrejt 27,2 për qind të cilët e pranojnë atë, që paraqet diferencë afërsisht 30 për qind në favor të kundërshtarëve të këtij dokumenti, tregon hulumtimi më i fundit i bërë nga fondacioni “Konrad Adenauer” në kuadër të botimit “30 vjet politikë e jashtme dhe mbrojtje”.
Sipas hulumtimit, marrëdhëniet maqedonase-bullgare janë në nivel të ulët, gjë që mund të ndikojë negativisht në cilësinë e komunikimit elementar ndërmjet institucioneve dhe shoqërive të dy vendeve.
Për sa i përket mbështetjes për NATO-n dhe BE-në, 64.2 për qind e të anketuarve mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, që paraqet një raport 2:1 në favor të mbështetësve. Gjithashtu, 56,2 për qind e të anketuarve besojnë se me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut është më e sigurt dhe më e qëndrueshme, tregon hulumtimi.
Gjithsej, 63,8 për qind votuan për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo përqindje, thekson ky fondacioni, megjithëse është ende shumë e lartë, prirje të qarta negative janë të dukshme në krahasim me dy dekadat e para të pavarësisë.
Kumulativisht, 40,2 për qind e të anketuarve e gjejnë arsyen e dështimit të vendit për t’u anëtarësuar në BE në dobësitë e brendshme, krahasuar me 19,2 për qind që i gjejnë arsyet në faktorët e jashtëm.
Të anketuarit kanë përshtypjet më pozitive për cilësinë e marrëdhënieve të ndërsjella të Maqedonisë së Veriut me Turqinë, me 71,6 për qind, me Serbinë – 68,6 për qind dhe me Gjermaninë – 64,3 për qind.
Përshtypjet më negative janë për marrëdhëniet ndërshtetërore me Rusinë dhe Bullgarinë, për të cilat 59,3 për qind dhe 52,5 për qind e të anketuarve besojnë se kanë marrëdhënie të këqija dypalëshe me Maqedoninë e Veriut.
Gjithsej 45,6 për qind e të anketuarve besojnë se Maqedonia e Veriut ka dështuar të ndërtojë shërbim diplomatik profesional gjatë tre dekadave të fundit (kundër 21,8 për qind që kanë mendim të kundërt). Nga ana tjetër, 57,8 për qind e të anketuarve vlerësojnë pozitivisht rolin dhe arritjet e Armatës (kundër 24,7 për qind që kanë mendim të kundërt). Konkluzioni është se besimi tek Armata dhe tek institucionet përgjegjëse për mbrojtjen është dukshëm më i lartë në krahasim me shërbimin diplomatik.
Sa i përket menaxhimit të politikës së jashtme dhe mbrojtjes, nga të gjithë presidentët e vendit, në shkallën 1 deri në 5, të anketuarit më të lartë e vlerësojnë presidentin e dytë Boris Trajkovski, i cili ka notën mesatare prej 4,28. Presidenti i parë i Republikës së Maqedonisë së pavarur, Kiro Gligorov, ka notën mesatare prej 4,1, presidenti i tretë, Branko Cërvenkovski, ka notën mesatare 3,02, nota mesatare e presidentit të katërt të vendit, Gjorgje Ivanov, është 3,11, ndërsa presidenti aktual Stevo Pendarovski ka notën mesatare prej 2.81.
Për sa i përket Greqisë, 36,5 për qind e të anketuarve deklarojnë se mbështesin Marrëveshjen e Prespës, derisa 30,6 për qind e të anketuarve besojnë se pas tejkalimit të kontestit me emrin, marrëdhëniet maqedonase-greke kanë përmirësim të dukshëm, dhe 30 për qind besojnë se zgjidhja e mosmarrëveshjes me emrin ka ndikim pozitiv në vendimin e Patriarkanës Ekumenike për njohjen e statusi kanonik i KOM-AO, më 9 maj të vitit 2022. Marrëdhëniet maqedonase-greke karakterizohen nga një dinamikë pozitive, megjithëse ka ende përmbajtje të theksuar.
Gjithsej 64,6 për qind e të anketuarve besojnë se Gjermania është një mbështetëse dhe aleate e fortë politike, dhe 66,6 për qind se ajo është gjithashtu partner i rëndësishëm ekonomik i Maqedonisë së Veriut. Gjermania së bashku me SHBA-në janë dy shembuj më karakteristikë të një besimi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm për sa i përket cilësisë së marrëdhënieve që këto vende kanë me Maqedoninë e Veriut.
Sa i përket perceptimeve se cili shtet është aleati më i madh i Maqedonisë së Veriut, 37,4 për qind besojnë se është Serbia, 24,1 për qind nuk kanë përgjigje, ndërsa 19,8 për qind besojnë se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më poshtë listës të shteteve-aleate janë Turqia (5,8 për qind) dhe Gjermania me 5,4 për qind që të anketuarit i konsiderojnë si miqtë më të mëdhenj të Maqedonisë së Veriut.
Se cili shtet është armiku më i madh i Maqedonisë së Veriut, 44 për qind e të anketuarve mendojnë se është Bullgaria, ndërsa 12,1 për qind mendojnë se është Rusia.
Gjithsej 50,4 për qind e të anketuarve besojnë se agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës është i pajustifikuar dhe i papranueshëm, ndërsa 26,2 për qind besojnë se është i justifikuar dhe i pranueshëm, që paraqet një raport 2:1 në krahasim me grupin e parë.
Nga të anketuarit, 65,7 për qind e mbështesin projektin “Ballkani i hapur”, ndërsa 15 për qind nuk e mbështesin atë, që do të thotë se numri i të anketuarve që mbështesin këtë formë të bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë është më i lartë për 50,7 për qind.
Në pyetjen se kur mendoni se Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në BE, 28 për qind e të anketuarve thanë se kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, që është grupi më i madh, ndërsa 23,7 për qind shprehen pesimizmin e tyre përmes përgjigjes se nuk e dinë se kur do të ndodhë, pra se nuk kanë përgjigje. Përballë këtyre grupeve janë të anketuarit më optimistë. Kështu, 7,4 për qind kanë deklaruar se anëtarësimi i vendit në BE do të bëhet pas 20 ose më shumë vitesh, 10,4 për qind në 10-20 vjet, 15,5 për qind për 10 vjet dhe 13 për qind për pesë vjet. Pesimizmi i thellë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe për shpejtësinë e arritjes së këtij qëllimi strategjik, duket nga përgjigjet e të anketuarve.
“Tejkalimi i pengesave dypalëshe dhe hapja e një perspektive të qartë për integrimin dinamik të Maqedonisë së Veriut pa ndërprerje shtesë, është e sigurt se do të rezultojë edhe në korrigjimin e përshtypjeve të qytetarëve në kuptimin pozitiv në raport me vetë BE-në si dhe në lidhje me kohën e anëtarësimit”, thuhet në hulumtim.
Publikimi është i përbërë nga analiza teorike dhe studim i opinionit publik dhe synon të hedhë dritë shtesë mbi këto dy aspekte të historisë së fundit të shtetit. Sondazhi i opinionit publik është bërë në gusht të këtij viti. Janë përfshirë 1.111 të anketuar, duke ruajtur raportin e përgjithshëm për sa i përket karakteristikave bazë demografike (gjinia, mosha mbi 18 vjeç, përkatësia etnike, profesioni dhe arsimimi), duke respektuar ekuilibrin e duhur gjeografik.