“Fatkeqësia më e madhe, shkatërrimi më i madh, vjen atëherë kur, gjërat serioze, nuk merren seriozisht”, kështu tingëllon një thënie!
Programet e viteve të fundit, posaçërisht ekonomike, të disa shteteve evropiane, e panë të rrugës – me plotë arsye – që t’iu hapin dyert disa vendeve ballkanike, për lehtësimin e mundësive të pranimit në tregun e tyre të punës.
Nëse u kuptuan qartë nevojat e këtyre shteteve, nuk u hasen vështirësi për me i kuptuar edhe shprehjet e kurreshtjeve nga një pjesë e popullatës sonë, për me i shfrytëzuar mundësitë e tilla, për me e kërkuar fatin e jetës dhe të punës diku tjetër, jashtë vendit, diku në shtetet e huaja.
Përballë kësaj ndodhie që meriton një përkujdesje dhe një vigjilencë të theksuar, nuk është aq lehtë për me i kuptuar disa qëndrime institucionale dhe politike shtetërore, e as shkallën e pasivitetit dhe mungesën e reaktivitetit të kërkuar politik, në përputhje me rrethanat e krijuara.
Në fakt, qasja dhe përkushtimi i treguar ndaj dukurisë së largimeve masive nga vendi duket aq i zbehtë, sa që dëshmohet në njëfarë mënyre se disa protagonistë politik dhe institucional “kënaqen” me rolin e kurreshtarit dhe të spektatorit ndaj kësaj dukurie. Është së paku kjo përshtypje ajo e cila perceptohet sot në opinionin e gjerë.
Pikërisht nga disa rrjete institucionale apo politike përcjellën nganjëherë shpjegime përmes së cilave dikush mundohet t’i arsyetojë ca gjëra, duke u fokusuar në analizat e llojit “jetojmë në kohërat e globalizimit” dhe se gjoja në trendët aktuale është bërë normale që të ndodhin gjithë këto lëvizje të popullatave!
Duke u bazuar në realitetet tona, shpjegimet e kësaj natyre mund të cilësohen vetëm si një filozofi “boshe”, tepër idealiste, bile edhe si një vlerësim vështirë i “përtypur” nga prizma e analizës pragmatike!
Në kontekstet tona, shumë pakë pika të përbashkëta i lidhin “globalizimin” dhe dukurinë e largimeve masive nga vendi! Kurse, duket tejet e qartë lidhshmëria në mes të faktorëve të brendshëm (posaçërisht kriza e rëndë politiko-ekonomike) dhe ndikimi i tyre në dinamikën aktuale të largimeve.
Rikujtojmë se globalizimi është një proces i ndërkombëtarizmit të transaksioneve industriale, tregtare dhe financiare. Ai ndërlidhet me liberalizimin e këmbimeve dhe me intensifikimin e tyre. Si një dukuri e integrimit ekonomik, globalizmi kontribuon në atë që shtetet të krijojnë një ndërvarshmëri, posaçërisht për arsye të lirisë së qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitaleve, njerëzve, ideve dhe teknologjisë.
Asgjë pra të përbashkët me atë çka mendon dikush! Një domethënie e tillë e globalizimit ngërthen në vehte elemente konkrete që e dëshmojnë faktin se është vështirë t’i identifikojmë – përmes “petkut të globalizimit” – proceset dhe faktorët që ndikojnë në largimet masive të popullatës sonë nga trojet tona.
Ajo çka është më e keqja; në ditën e sotme, nuk janë vetëm faktorët ekskluzivisht ekonomikë ato të cilat e favorizojnë shijen e braktisjes së vendit. Hasim edhe shembuj të personave të cilët, me gjithë faktin se ia dalin të sigurojnë një standard të pranueshëm jetësor në vendet tona, ia mësynë prapëseprapë rrugës për me gjetur një jetë më të mirë jashtë. Një indikator ky i cili tregon se revolta i ka zgjeruar horizontet e saj. Një gjendje vërtetë alarmante!
Me siguri se pasojat veç ndjehen rëndë në sektorë të ndryshëm, siç janë ekonomia, arsimi, mjekësia dhe në shumë fusha të tjera të cilat, siç duket, do të vazhdojnë për fat të keq, të preken gradualisht, ashtu si edhe ato që u preken fillimisht. Një fenomen gradual i cili duket se i përngjan tepër e më tepër “efektit domino”.
Ndoshta ndër të vetmet fusha të cilës duket se akoma nuk iu është rrezikuar dhe lëkundur “ekzistenca dhe mirëqenia”, por edhe që e ka vështirë ti hulumtoj tash për tash pasojat reale negative dhe afatgjate, është ajo që katakterizohet me fenomenin e ashtuquajtur “kryesore të punojmë për fitimin e votave të mjaftueshme”.
Po pra, pasi që në atë fushë aktivitetesh, duket se akoma mbizotëron formula prioritare “kryesorja është me fituar, pa marrë parasysh se sa njerëz votuan”, e jo domosdo formula e përkujdesjes së kërkuar ndaj pyetjeve brengosëse që i prekin interesat vitale të vendit dhe popullatës.