Politikania italiane e ekstremit të djathtë Xhorxha Meloni që pritet të bëhet kryeministrja e parë femër e Italisë pas zgjedhjeve të 25 shtatorit ka mbajtur qëndrim të qartë të politikave të partisë së saj rreth Bashkimit Evropian.
Kur vetëm tre ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare italiane, kandidatja më potenciale për të qenë kryeministre Giorgia Meloni nga partia e ekstremit të djathtë Fratelli d’Italia ka mbajtur pozicion të qartë të forcës së saj politike kundrejt Bashkimit Evropian.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, zonja Meloni tha se partia e saj nuk është kundër Bashkimit Evropian.
“Partia ime nuk ka një krah anti-evropian. Kemi vetëm një linjë, ajo e konservatorëve evropianë. Pandemia dhe lufta na kanë treguar se çfarë nuk ka funksionuar me BE-në në dekadat e fundit.
Brukseli i ka zgjeruar kompetencat e tij në shumë aspekte të jetës sonë të përditshme. Unë dua një Evropë që bën më pak gjëra, më pak centralizim dhe burokraci.
Dua që Italia të ketë rolin që meriton në BE, duke mbrojtur interesat tona kombëtare sa më mirë siç bëjnë gjermanët dhe francezët,” tha ajo.
Deklaratat e Melonit vijnë pasi disa zyrtarë evropianë të krahut të majtë u shqetësuan se me ardhjen e saj në pushtet Italia mund të dilte nga BE-ja ose të bëhej një problem për bllokun sa u përket vendimeve që kërkojnë miratimin e 27 vendeve anëtare, si në rastin e aleatit të Melonit, Viktor Orban.
Meloni shpjegoi edhe arsyet se përse italianët duhet të votojnë për të në 25 shtator.
Sipas saj me dhënien fund të qeverisjes së majtë, Italia do të rigjallërohet.
“Italianët kanë një mundësi për t’i dhënë fund periudhës së gjatë të së majtës, e cila ka qenë në qeveri pa ndërprerje, pa fituar asnjëherë zgjedhje. Vota për ne do të jetë një votë për ndryshimin e fortë.
Në Itali, shumë kompani kanë reduktuar ose ndërprerë prodhimin dhe ka të ngjarë të mbyllen nëse qeveria nuk ndërhyn me masa drastike.
Ne duam të rifillojmë ekonominë duke ulur taksat mbi punën, duke thjeshtuar burokracinë. Përveç kësaj, duam të rivendosim sigurinë dhe të ndalojmë emigracionin masiv të pakontrolluar që erdhi nën drejtimin e së majtës,” tha ajo.
Giorgia Meloni pritet të zgjidhet kryeministre në zgjedhjet e 25 shtatorit në bashkëpunim me aleatët e saj nga e djathta Silvio Berlusconi dhe Mateo Salvini.