Shërbimi Sekret Rus po flet për një operacion sekret për mbledhjen e kufomave nga kryqëzori “Moskva”, i cili u mbyt më 14 prill kur u sulmua nga ukrainasit. Kjo luftëanije konsiderohej si krenari detare e Rusisë. Në fakt, prindërit e marinarëve të zhdukur të anijes së Flotës së Detit të Zi deklarojnë hapur se rusët e fundosën anijen në mënyrë që të mos zbulohej e vërteta për fundosjen e saj, pa kryer më parë ndonjë operacion shpëtimi. Sipas këtyre pretendimeve, operacioni për nxjerrjen e anëtarëve të ekuipazhit të vdekur nga anija e fundosur zgjati dy javë, ku morën pjesë 7 varka. “Ata hoqën trupat dhe pajisjet e klasifikuara,” tha Vadim Skibitsky, një zëdhënës i shërbimit të inteligjencës të Ukrainës.
Moska nuk e ka pranuar ende përmasat e tragjedisë me fundosjen e “Moskva”-s, por së fundmi prindërit e marinarëve që shërbenin në anije kanë bërë apel që të informojnë zyrtarisht fatin e fëmijëve të tyre. Një nga prindërit e përfshirë në mënyrë aktive në fushatë, 43-vjeçari Dmitry Skebets, i cili humbi djalin e tij 20-vjeçar Yegor në anijen luftarake të fundosur, tha se nuk kishte përpjekje shpëtimi e se oficerët e braktisën anijen si minj.
“Dëshironi të dini pse nuk pati lëndime serioze në mesin e të mbijetuarve nga ‘Moskva’? Sepse e lanë të mbytej anijen”.
Pra ky baba mbështet teorinë se rusët e fundosën vetë “Moskva”-n, sepse e dinin që po të tërhiqeshin në portin e Sevastopolit, në Krime, të gjithë do ta kuptonin se ishte goditur me raketa dhe se zjarri për të cilin po flisnin fillimisht autoritetet ruse nuk ishin për shkak të një aksidenti. Babai 43-vjeçar konfirmoi se djali i tij ishte një rekrut i thjeshtë, i cili nuk kishte nënshkruar kontratë si anëtar profesionist i Marinës Ruse, “si shumë të tjerë në anije”. Ai shton se nëse fëmija i tij do të ishte ushtar profesionist nuk do të fliste, pasi do ta dinte që djali i tij ishte trajnuar për t’u marrë me luftën, diçka që nuk ndodhi.