BotaLajme

Forcat ruse të armatosur derë më derë detyrojnë qytetarët të votojnë të ashtuquajturat “referendume”(VIDEO)

Të armatosur me mitralozë, forcat e mbështetura nga Moska po shkojnë derë më derë në Ukrainën e pushtuar dhe po detyrojnë qytetarët të votojnë në të ashtuquajturat referendume. Zyrtarët ukrainas thanë se njerëzve u ndalohej të largoheshin nga katër rajonet ku po mbahet i ashtuquajturi referendum rus, deri në përfundimin e votimit pesë-ditor.

Në qendrat e votimit qytetarët hyjnë për të votuar në kuti transparente, ndërsa jashtë qëndrojnë roje të armatosura. Ukrainasit kanë pohuar se u është thënë se nëse refuzojnë të votojnë familjet e tyre do të vriten. Këto referendume, që Perëndimi i konsideron të paligjshme do të vazhdojnë deri më 27 shtator. Referendumet për t’iu bashkuar Rusisë mbahen në Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporozhia – të gjitha në juglindje të Ukrainës. Në rajonet ku po mbahen të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë nuk ka vëzhgues të pavarur.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, i kërkoi botës të dënojë “pseudo-referendumet” që synojnë të aneksojnë tokat e Ukrainës.

“Bota do të reagojë absolutisht ndaj pseudo-referendumeve, ato do të dënohen pa mëdyshje edhe për mobilizimin kriminal që pushtuesit po përpiqen ta kryejnë aktualisht në Krime dhe në pjesë të tjera të Ukrainës, të cilat ende i kontrollojnë. Këto nuk janë vetëm krime kundër ligjeve ndërkombëtare dhe ligjit të Ukrainës. Këto janë krime kundër njerëzve të caktuar, kundër popullit tonë”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Në Uashington, presidenti amerikan Xho Bajden dënoi këtë akt dhe paralajmëroi më shumë sanksione për Moskën. Bajden tha se Referendumet e Rusisë janë një mashtrim – një pretekst i rremë, që tentojnë të aneksojnë pjesë të Ukrainës me forcë. Të ashtuquajturat referendume, u shpallën me nxitim këtë javë, pasi presidenti rus, Vlladimir Putin, urdhëroi më 21 shtator – atë që ai e ka quajtur mobilizim të pjesshëm ushtarak. Të katër rajonet ku zhvillohen të ashtuquajturat referendume përfaqësojnë rreth 15 për qind të Ukrainës, ose një zonë sa territori i Hungarisë./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button