Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Dmitry Bulgakov, është shkarkuar nga detyra dhe është transferuar në “një post tjetër”, tha ministria e Mbrojtjes në Moskë më 24 shtator.
Ai do të zëvendësohet nga gjeneral-kolonel, Mikhail Mizintsev, i cili më parë mbante postin e kreut të Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë.
Ushtria ukrainase tha se Mizintsev udhëhoqi rrethimin e portit të Mariupolit, gjë që i dha atij pseudonimin “kasapi i Mariupolit”.
Mariupoli u pushtua nga Rusia në fund të majit, pasi pjesa më e madhe e qytetit u shndërrua në gërmadha dhe mijëra civilë u vranë gjatë rrethimit.
Udhëheqja ushtarake ruse nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, është kritikuar së fundmi në qarqe të afërta me Kremlinin.
Rreth dy javë më parë, ushtria ruse ishte tërhequr nga rajoni lindor i Ukrainës, Harkiv, nën presionin e një kundërofensive ukrainase.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL