LajmeRajon

Harrohet reciprociteti: Rritet sërish importi i mallrave nga Serbia

Importimi i produkteve të Serbisë në Kosovë po vazhdon të rritet për çdo muaj. 88 milionë euro sa ishte muajin e kaluar, importimi i mallrave nga vendet e CEFTA-së ka shkuar në 100 milionë, teksa reciprociteti si masë është harruar që sa kohë nga Qeveria Kurti.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës[ASK], Kosova ka importuar nga Serbia 7.4 për qind të importimi të mallrave.

ASK bën të ditur se importet në muajin korrik janë rritur për 26.9 për qind krahasuar me muajin e kaluar që ishte 5.1 për qind.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin gusht 2022, arritën në 100,0 milion euro, ose (19.0%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (26.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.4%), Maqedonia (5.5%), Shqipëria (4.1%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Më tej, ASK thotë se importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 213.2 milion euro, ose 40.5 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 20.2 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania 9.5 për qind, Greqia 8.7 për qind, Italia 3.8 për qind dhe Sllovenia 3.4 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet tjera, Turqia me 13.6 për qind dhe Kina 10.1 për qind.

E nga ky numër, sipas ASK u importuan më së shumti këto produkte:

“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import e përbëjnë: (22.9) produktet minerale, (12.2%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (10.5%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9.3%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (6.4%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (6.3%) produkte të industrisë kimike (6.0%) mjetet e transportit, etj.”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Gjithashtu, sipas të dhënave të ASK, Kosova ka importuar në muajin korrik 88.4 milionë euro.

Në listën e vendeve prin Serbia me importin me të lartë me 7.4 për qind, e dyta Maqedonia e Veriut me 4.5 për qind dhe e treta Shqipëria me 4.8 për qind.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin korrik 2022, arritën në 88.4 milion Euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.4%), Maqedonia e Veriut (4.5%), dhe Shqipëria (3.8%).”, thuhet në raportin e ASK për muajin korrik 2022.

Edhe muajin e kaluar (qershor) dhe gati çdo muaj Serbia pushton Kosovën me mallra.

Reciprociteti

Për shkak të importimi të mallrave serbe, në Kosovë, ndaj Qeverisë Kurti tërë kohën është kërkuar vendosja e masës së Reciprociteti.

Reciprocitet ishte premtim i kryeministrit, Albin Kurti para ardhjes në pushtet, mirëpo pas ardhjes, Kurti nuk ka bërë ndonjë lëvizje në këtë aspekt. Reciprociteti është harruar.

Politologu Shkodran Ramadani, lidhur me mos-vendosjen e reciprocitetit ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti duke i quajtur “grupacion mashtruesish kronikë”.

Ramadani në shkrimin e tij në Facebook thotë se Qeveria ndoshta ia ka vendosur reciprocitetin Shqipërisë pasi importi nga ky vend po bie çdo muaj.

“Dy grafikone që ilustrojnë të vërtetën për këtë qeveri. Importi prej Serbisë t’u thy rekorde çdo muaj. Importi prej Shqipërisë t’u ra çdo muaj. Po m’doket që t’u dashtë me ia vendosë reciprocitetin Serbisë, ia kanë vendosë Shqipërisë. Ani këta premtonin bashkim me Shqipërinë. More more grupacion mashtruesish kronikë”, ka shkruar ai.

Edhe ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj në një deklaratë për Nacionale të dhënë para disa jave, ka thënë se mbështet reciprocitetin ndaj Serbisë, pasi ky shtet që nga paslufta ka shkaktuar humbje ndaj bizneseve kosovare.

“Natyrisht që mbështes çdo veprim që dërgon në drejtim të reciprocitetit, jo vetëm me Serbinë, por më të gjithë ata që i pengojnë prodhuesit tanë. Serbia qe nga paslufta i ka krijuar humbje të jashtëzakonshme biznesit të Kosovës duke i krijuar barriera të ndryshme. Ajo pos që nuk njeh një mori certifikatash të lëshuara nga institucionet tona, ajo krijon edhe barriera tjera të çuditshme vetëm e vetëm që ta demoralizojë prodhuesin e Kosovës”,  ka thënë ai.

Më tej, Mulaj thekson se Qeveria Kurti duhet t’i mbajë premtime me të cilat ka fituar zgjedhjet, e një nga premtimet është edhe reciprociteti me Serbinë.

Ndryshe, Kosova gjatë vitit 2021 ka importuar nga Serbia mallra në vlerë 305 milionë e 398 mijë euro.

Për të mos harruar, këto ditë ASK është kritikuar për shkak të dyshimeve për manipulimeve me shifrat.

Pjesëtarë të partive opozitare kanë thënë se ASK po ndryshon të dhënat.

Kujtojmë se nga muaji qershor, AKS nga Ministria e Financave kishte kaluara në Zyrën e Kryeministrit.

Ndërkaq, sa i përket importimit të produkteve serbe në Kosovës, mbetet të shihet reagimi i Qeverisë Kurti, por deri atëherë “duaje tënden”.

Show More

Related Articles

Back to top button