Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka luftime të ashpra në frontet e luftës, por Kievi po sheh “rezultate pozitive”.
Këto deklarata të Zelenskyt, të bëra në orët e vona të 25 shtatorit, vijnë pasi ai ka paralajmëruar se nuk duhet të hidhen poshtë kërcënimet bërthamore të presidentit rus, Vladimir Putin, teksa forcat e Moskës po humbin territor në Ukrainë.
Kryeministrja britanike, Liz Truss, ka minimizuar deklaratat e fundit të Putinit, duke i cilësuar si “kërcënime false”, dhe këshilltari për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, ka thënë se Uashingtoni i ka shpalosur Moskës “pasojat katastrofike” me të cilat do të përballej nëse do të përdorte armë bërthamore kundër Ukrainës.
Në adresimin e tij natën e së dielës, Zelensky tha se forcat ukrainase kanë shënuar përparim kundër forcave ruse në rajonet Donjeck, Harkiv, Mikolajiv dhe Zaporizhja.
“Kemi rezultate pozitive në disa drejtime”, tha ai.
Rusia dhe aleatët e saj separatistë në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës po mbajnë të ashtuquajturat referendume për të fituar pavarësinë dhe për t’iu bashkuar Rusisë. Por, këto votime nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar janë cilësuar si “referendume të rreme”.
Votimet pritet të përmbyllen më 27 shtator.