Presidenti i Ukrainës Zelensky është shprehur se përsa kohë që Perëndimi vonon të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë, më shumë jetë po humbin në Ukrainë.
“Vetëm shikoni situatën tani. Shikoni numrin e javëve që Bashkimi Evropian është përpjekur të bjerë dakord për paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë”, tha Zelensky përmes një fjalimi mbrëmë.
Tashmë ka kaluar gati një muaj që kur shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi propozimet për ndalimin e importeve të naftës ruse. Por pse i është dashur kaq shumë kohë BE-së që të miratohen masa të tilla?
Rezistenca nga vendet e varura nga nafta ruse, veçanërisht nga Hungaria ka bërë që BE të mos ketë një marrëveshje unanime. Po ashtu, Sllovakia dhe Republika Çeke janë ndër ato vende që kanë shprehur shqetësim pasi janë të varura nga nafta ruse.
Udhëheqësit e BE-së pritet të takohen të hënën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të miratohet ose jo paketa e gjashtë e sanksioneve ndaj Rusisë e paralajmëruar dhe më herët nga shefja e Komisionit Evropian./tvklan.al/