Raund i ri kontaktesh mes Perëndimit dhe Rusisë. Gjatë këtyre muajve kishte qenë Presidenti francez, Emmanuel Macron, ai që kishte vendosur kontakte telefonike me Vladimir Putin.
Tani është radha e kryeministrit italian Mario Draghi. Kështu kanë raportuar të dyja qeveritë dhe pas telefonatës, italiani ka dërguar një mesazh aspak të mirë: “Kriza e urisë që po afrohet dhe e cila tashmë është e pranishme në disa vende afrikane, do të ketë përmasa gjigante dhe pasoja të tmerrshme humanitare”.
Në një dalje të shkurtër para mediave, Draghi ka zbuluar përmbajtjen e bisedës së tij me liderin rus. Një bisedë “për të diskutuar zhvillimin e situatës në Ukrainë dhe përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për krizën aktuale të urisë dhe pasojat e saj serioze në vendet më të varfra në botë”.
Ndër kërkesat e tij, thekson Draghi, ishte që të bëhej gjithçka që është e mundur për të zhbllokuar situatën e drithërave të ngecur në portet e Ukrainës, nga e cila varet ushqimi i miliona njerëzve në botë. Sipas kryeministrit italian, këtij problemi mund t’i jepet fund me një bashkëpunim teorik mes Rusisë dhe Ukrainës për të zhbllokuar portet e Detit të Zi, ku ka miliona kilogramë grurë. Draghi i tha Putinit se do të fliste edhe me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për të diskutuar këtë çështje.
Të dy vendet, Ukraina dhe Rusia, janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të grurit. Bllokada ruse e porteve të Ukrainës ka kompromentuar dërgesën e këtyre ushqimeve, duke gjeneruar një rritje të madhe të çmimit të drithërave, vajrave, plehrave dhe karburanteve. Kremlini është i gatshëm të japë një “kontribut të rëndësishëm”, por për ta bërë këtë kërkon që të hiqen kufizimet e vendosura ndaj Moskës.
Siç i shpjegoi Putin kryeministrit të Italisë, sasia e grurit që ndalohet “nuk mjafton për të zgjidhur krizën ushqimore, nevojat janë më të mëdha, por unë them se është e rëndësishme të eksportohet gruri i ngecur në porte më parë”. Për këtë, megjithatë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë një hap prapa në masat e tyre kundër Rusisë.
Ndërkohë, sipas Kremlinit: “Vladimir Putin raportoi për punën e vazhdueshme për të krijuar një jetë paqësore në qytetet e çliruara të Donbasit. Ai foli në detaje për hapat e ndërmarrë për të garantuar sigurinë e transportit detar, duke përfshirë hapjen e përditshme të korridoreve humanitare për nisjen e anijeve civile nga portet e Azovit dhe Detit të Zi, i cili pengohet nga pala ukrainase”.
Së fundi, Putini i ofroi Italisë garanci për një “furnizim të pandërprerë me gaz natyror me çmimet e përcaktuara në kontrata”./A2CNN/