Evropa njihet si një kontinent i vështirë për t’u zhvendosur për qytetarët joevropianë që përpiqen të zhvendosen për punë.
Sipas EuroNews, disa vende të BE-së – vende të vogla si Lihtenshtajni dhe Qyteti i Vatikanit, për shembull – kanë disa nga rregullat më të rrepta të imigracionit në botë.
Por vendet brenda Evropës tani po përballen me mungesa të rënda të fuqisë punëtore, të cilat kanë shkaktuar telashe të mëdha në muajt e fundit. Shumë prej tyre tani po e bëjnë më të lehtë për punëtorët migrantë të zhvendosen në BE për punë.
Këtu është një listë e vendeve ku është më e lehtë të merret një vizë pune për qytetarët joevropianë, përcjell Telegrafi.
Gjermania
Gjermania ka lansuar së fundmi një ‘kartë mundësie’ të re për të tërhequr punëtorë emigrantë të kualifikuar.
Duke përdorur një sistem pikësh, ‘Chancenkarte’ iu lejon atyre që kërkojnë punë në Gjermani të zhvendosen në vend përpara se të gjejnë një punë ose edhe punë praktike, në vend që t’ju duhet të aplikojnë nga jashtë.
Aplikantët duhet të jenë nën 35 vjeç, të kenë njohuri të mjaftueshme gjuhësore për të jetuar në vend, dhe të paktën 3 vjet përvojë profesionale në CV-në e tyre.
Ata gjithashtu duhet ta dëshmojnë se mund të paguajnë shpenzimet për jetesë për kohën që janë në Gjermani përpara gjetjes së punës.
Danimarka
Danimarka gjithashtu ka nevojë urgjente për punëtorë në të gjitha llojet e industrive dhe po kërkon profesionistë nga vendet e tjera që të ‘ndërhyjnë dhe të ndihmojnë’.
Kërkohen punëtorë të kualifikuar nga fusha si shkenca dhe inxhinieria, te profesionistët ligjorë dhe të kujdesit shëndetësor, nga mësuesit dhe specialistët e IT-së deri te elektricistët, farkëtarët dhe punëtorët e metaleve.
Një listë e plotë e profesionistëve të nevojshëm është e disponueshme në Listën Pozitive të vendit për Personat me Arsim të Lartë dhe në Listën Pozitive për Punë të Aftësuar të publikuar nga Agjencia e Danimarkës për Rekrutim dhe Integrim Ndërkombëtar (SIRI). Listat u prezantuan më 1 korrik dhe do të qëndrojnë në fuqi deri më 31 dhjetor.
Nëse ju ofrohet një punë në një industri të përfshirë në dy listat, mund të aplikoni për një leje qëndrimi dhe pune daneze. Leja juaj e qëndrimit do të jetë e vlefshme për aq kohë sa periudha juaj e punësimit nëse keni një kontratë më të shkurtër se katër vjet ose do të jetë katërvjeçare nëse keni më shumë.
Nëse aplikoni për një punë në listë nga jashtë, do t’ju jepet një leje qëndrimi e vlefshme për një muaj përpara se të filloni të punoni, në mënyrë që të mund të vendoseni në vend, me kusht që mund t’i mbuloni shpenzimet në atë periudhë.
Sipas Statistikave të Danimarkës, aktualisht ka 71,400 vende të lira pune në sektorin privat në Danimarkë, ku numri më i madh i këtyre vendeve të punës gjenden në kryeqytetin Kopenhagë.
Irlanda
Marrja e një vize pune është relativisht e lehtë në Irlandë, e cila ofron një sërë opsionesh që variojnë nga afatshkurtër në atë afatgjatë.
Ndonëse është e nevojshme të keni gjetur një punë përpara se të jeni në gjendje të aplikoni, vendi po kërkon në mënyrë aktive punëtorë migrantë për të plotësuar vendet e lira të punës në sektorë që po përjetojnë mungesa të konsiderueshme.
Vendi ka dy viza kryesore pune, Lejen e Punësimit të Aftësive Kritike për punëtorët me kualifikim të lartë dhe Lejen e Përgjithshme të Punësimit. E para mbulon profesionet që konsiderohen kritikë për rritjen e ekonomisë irlandeze, ndërsa e dyta mbulon të gjitha llojet e punëve. Pas marrjes së këtyre lejeve, është relativisht e lehtë për njerëzit që të aplikojnë për qëndrim të përhershëm në vend.
Irlanda ofron gjithashtu një vizë pushimi pune për shtetasit e Argjentinës, Australisë, Kanadasë, Kilit, Hong Kongut, Japonisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut, Tajvanit dhe SHBA-së midis moshës 18 dhe 30 ose 35 vjeç.
Sipas kësaj vize, punëtorët migrantë mund të qëndrojnë në vend deri në 12 muaj, me përjashtim të kanadezëve që mund të qëndrojnë për një periudhë deri në 24 muaj.
Portugalia
Portugalia ka lëshuar së fundmi një vizë afatshkurtër për punëtorët që synojnë të qëndrojnë në vend vetëm për një sezon. Sipas Vizës së Punës Portugeze, ju lejohet të qëndroni dhe të punoni në vend për një periudhë maksimale prej nëntë muajsh. Ju gjithashtu lejohet të punoni për më shumë se një kompani, për sa kohë që është për një punë sezonale.
Çdo vizë tjetër e punës afatgjatë do të varet nga profesioni juaj. Dihet se aplikimet zgjasin disa muaj përpara se të finalizohen, por pasi të merrni një, ju lejohet të qëndroni në Portugali për një deri në dy vjet.
Ata që kanë jetuar në Portugali për pesë vjet mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm, pas së cilës nuk kanë më nevojë të aplikojnë për vizë pune.
Finlanda
Finlanda ka nisur një proces të shpejtë 14-ditor për të futur punëtorë të kualifikuar në vend, si dhe familjet e tyre. Ata që mund të përfitojnë nga ky shërbim përcaktohen nga qeveria finlandeze si “specialistë” dhe sipërmarrës fillestarë.
Pas 90 ditësh qëndrimi në vend, punëtorët që si përkasin vendeve të BE-së, duhet të aplikojnë për leje qëndrimi.
Vende të tjera në BE, duke përfshirë Spanjën dhe Italinë, kanë njoftuar kohët e fundit se po punojnë për të hapur më shumë mundësi për punëtorët jashtë BE-së dhe së shpejti do të publikojnë listat e vendeve të lira të punës që ata kanë nevojë për punëtorë migrantë për të plotësuar këto vende.