Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për të adresuar krizën e shkaktuar nga fluksi i migrantëve.
Më shumë 17.000 persona kanë arritur në këtë qytet nga kufiri jugor prej muajit prill.
Shtetet republikane sikurse Teksasi, Arizona dhe Florida janë duke dërguar migrantë në zonat demokratike në muajt e fundit.
Sipas tyre, këto masa janë të hartuara për të rritur presionin ndaj administratës së presidentit amerikan, Joe Biden për të bërë më shumë që të zvogëlohet numri i migrantëve që kalojnë kufirin jugor, pasi tani shifrat janë rekorde.
Kjo masë është pjesë e përplasjeve me Shtëpinë e Bardhë, teksa një numër i pashembullt i njerëzve arrijnë në kufirin SHBA – Meksikë.
Adams ka thënë se prej muajit shtator, një mesatare prej pesë apo gjashtë autobusësh kanë arritur çdo ditë në qytet.
Ai ka thënë se një në pesë njerëz në sistemin e qytetit për strehim tani janë azilkërkues.
Shumë prej personave që janë duke shkuar aty janë prindër me fëmijë që duhet të shkojnë në shkollë dhe me nevojë të madhe për kujdes shëndetësor.
“Banorët e Nju Jorkut janë të zemëruar”, ka thënë Adams.
“Unë jam zemëruar po ashtu. Nuk kemi kërkuar diçka të tillë”.
Në kuadër të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kryetari i qytetit të Nju Jorkut ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që i lejon qytetit të ndajë fonde për të mbështetur azilkërkuesit dhe që të rriten përpjekjet për përgjigje ndaj krizës.
Ky fluks migrantësh pritet t’i kushtojë Nju Jorkut 1 miliard dollarë këtë vit, prandaj kryetari i qytetit ka kërkuar ndihmë shtetërore dhe federale për të ndihmuar në menaxhim të situatës.REL