Disa shpërthime të forta kanë goditur qendrën e Kievit mëngjesin e sotëm, tha kryetari i qytetit Vitali Klitscho.
“Disa shpërthime në qarkun Shevçenskivski, në qendër të kryeqytetit”, shkroi ai në Telegram.
Ka raportime se edhe qytetet e tjera ukrainase si Dnipro, Lviv dhe Ternopil janë goditur nga shpërthimet. Shërbimi i emergjencave në Ukrainë, tha se ka të vrarë dhe të plagosur në Kiev. Por, ende nuk dihet numri i saktë i viktimave.
Shpërthimet janë dëgjuar rreth orës 08:15, sipas kohës lokale, thanë gazetarët dhe dëshmitarët. Pas shpërthimeve janë dëgjuar alarmet e sulmeve ajrore në mbarë kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Sipas dëshmitarëve, shpërthimet duket se ishin rezultat i sulmeve ajrore dhe dyshohet se kanë lënë civilë të vdekur, por numri i tyre nuk dihet.
Kjo është hera e parë që Kievi goditet pas disa muajsh dhe shpërthimet duket se kanë ndodhur më afër qendrës sesa sulmet e mëhershme që kanë goditur kryeqytetin ukrainas, qëkur Rusia nisi pushimin e Ukrainës më 24 shkurt, raporton BBC.
Shpërthimet në Kiev vijnë disa ditë pasi ura e vetme që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë, u dëmtua nga shpërthimet.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Ukrainën për “akt të terrorizmit”, duke e akuzuar se qëndron prapa sulmit të urës.