Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken theksoi të martën në biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Sebisë, Aleksandar Vuçiç rëndësinë e dialogut mes dy vendeve të lehtësuar nga BE-ja.
Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Ned Price lidhur me bisedën e zotit Blinken me kryeministrin Kurti, thuhet se gjatë bisedës u fol gjithashtu për rëndësinë e për angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës “për integrimet evropiane dhe euroatlantike si jetike për arritjen e paqes dhe mirëqenies së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Ndërsa në bisedën me Presidentin Vuçiç, zoti Blinken kërkoi angazhim të vazhdueshëm nga Serbia për integrimin evropian dhe paqen dhe stabilitetin në rajon, sipas një postimi të tij në Twitter.
Zoti Blinken u shpreh në Twitter se falenderoi zotin Kurti për “mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën”.
Zëdhënësi Ned Price shprehej në njoftimin për shtyp se sekretari Blinken falënderoi presidentin Vuçiç “për mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe diskutoi përpjekjet e përbashkëta për të garantuar sigurinë e ardhshme energjetike të Serbisë”.
Në konferencën e përditshme për shtyp, duke folur për bisedat telefonike theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës përballë agresionit rus.
“Kjo është një pjesë e botës që i di më mirë se shumë të tjerë pasojat e agresionit rus. Është një pjesë e botës që ka qenë një partnere kyçe në ndihmën për t’u ofruar partnerëve tanë ukrainas atë që u nevojitet”, tha zoti Price.
Pas sulmeve ruse me raketa ndaj Ukrainës të hënën zoti Blinken tha se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë të bëjë të qartë se veprimet e Presidentit Putin janë plotësisht të papranueshme.